Weller: Marrëveshja e marsit nuk ofron njohjen e Kosovës nga Serbia

Marc Weller, i cili ka qenë pjesë e ekipeve që kanë këshilluar Ibrahim Rugovën në fillim të viteve ‘90, pjesë e ekipit për Marrëveshjen e Rambujesë, pastaj Marrëveshjen e Ahtisaarit, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i BE-së, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Weller ka thënë se kjo marrëveshje është një hap drejt një hapi tjetër që çon drejt qëllimit kryesor.

Megjithëkëtë, sipas tij, kjo marrëveshje nuk ofron njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.

“Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës e kanë bërë të qartë se kjo marrëveshje thjesht e skicon rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Kjo marrëveshje nuk e ofron këtë, por ofron disa gjëra në mes ngase marrëveshja ofron atë që Serbia dhe Kosova, në fakt, duhet ta trajtojnë njëra-tjetrën si shtete edhe pa e njohur ende plotësisht njëra-tjetrën si shtete” – ka thënë Weller.

Ai ka shtuar që edhe pse kërkesa kryesore e Kosovës mbetet njohja, sipas tij askush nuk ka pritur që kjo të realizohej në shkurt ose mars të këtij viti.

“Ka ende rrugë për të bërë, por Kosova ka të drejtë të bëjë presion për përparim të mëtejshëm në rrugën për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare. Është e qartë se Bashkimi Evropian ka kërkuar që Serbia të mund të bëhet anëtare e BE-së vetëm nëse arrin atë që quhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht detyruese për normalizimin me Kosovën” – ka shtuar më tej Weller.

Më 27 shkurt në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti tha se ishte i gatshëm ta nënshkruajë Planin franko-gjerman, i njohur si Plani i Bashkimit Evropian.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha që nuk pati marrëveshje për shkak që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për propozimin e BE-së duke shtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera. Borrell në anën tjetër përmendi fundin e marsit si një kohë kur mund të finalizohet plotësisht puna.

Ndryshe një ditë pas këtij takimi, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë takuar për të koordinuar hapat e ardhshëm për takimin e radhës.

Takimi i radhës do të mbahet në fund të këtij muaji në Maqedoninë e Veriut.

Lajçaku dhe Escobari takohen për të koordinuar hapat për takimin e radhës