Foto: Twitter

Lajçaku dhe Escobari takohen për të koordinuar hapat për takimin e radhës

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë takuar sot, një ditë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak ka njoftuar se janë takuar për të koordinuar hapat e ardhshëm për takimin e radhës.

“Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Escobari dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e radhës për takimin e ardhshëm. U pajtuam për rëndësinë e modaliteteve të implementimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të dialogut”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

 

Pas takimit, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, paralajmëroi një takim të radhës Kurti- Vuçiq duke shtuar se “fundi i marsit është koha kur pres të finalizohet puna”.

Të hënën, më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel për të diskutuar propozimin e BE-së.

Në fund të takimit, pro-planit është shprehur vetëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Vuçiq – duke iu shmangur deklaratave për planin – ka thënë se është e mundur të arrihen disa kompromise dhe janë duke punuar për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Nikoqiri i takimit të liderëve, kryediplomati evropian, Josep Borell, kanë thënë në fund të ditës se të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar në zbatimin e marrëveshjes.

Propozimi evropian u është dorëzuar palëve fillimisht në vjeshtën e vitit 2022.