VV reagon pas deklaratave të Agim Velit për postin e Presidentit
Sot, në 30 vjetrin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetari i saj, Agim Veliu, ka komentuar mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Para gazetarëve të hënën, Veliu tha se i mirëpresin takimet me LVV-në për të krijuar bashkëpunimin në qeverisjen e ardhshme.
Por, sipas tij, partia e Albin Kurtit po kërkon shumë.
“Ne mendojmë që ai pozicion (Presidenti), në këtë raport të forcave politike, i takon LDK-së sepse edhe presidenti edhe kryeministri t’i takoj një subjekti politik në këtë raport forcave, është e tepërt”, tha Veliu gjatë homazheve te varri ish-presidenti, Ibrahim Rugova.
Por, nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë mohuar se kanë kërkesë në tryezën për koalicion ndaj partisë së Isa Mustafës.
“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar postin e Presidentit, ne po insistojmë ta bëjmë qeverinë, e për presidentit kur t’i vjen koha”, janë shprehur nga zyra për medie e LVV-së.
Ndaj deklarimeve të kryetari të Podujevës nga LDK ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci.
“Nuk qëndron kjo që thotë z.Veliu. Vetëvendosje nuk po e kërkon për vete postin e Presidentit”, ka thënë ai në Facebook.
“Ne po kërkojmë që për presidentin të mos flitet tash kur jemi duke e ndërtuar shumicën parlamentare për qeverisje, por kur të vjen koha. Dhe më e rëndësishmja: po kërkojmë president saktësisht ashtu sikurse e kërkon Kushtetuta e vendit”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, LDK ka përsëritur edhe një herë kushtin për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Por, sipas Veliut, LDK ende nuk e ka një emër për postin e të parit të shtetit.
“Ne jemi duke biseduar që ta gjejmë një zgjidhje, mirëpo ne mendojmë që në këtë raport forcave LDK duhet ta ketë të drejtën për propozimin e presidentit”, thotë nënkryetari i LDK-së.
“LDK nuk ka sot një emër për presidenti, kur të vijë koha do ta bëjmë publik edhe emrin”, deklaroi tutje ai.
Gjatë ditës së sotme nuk pritët të ketë takime ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për të biseduar për koalicionin e mundshëm qeverisës.
Ndërkohë, kanë mbetur vetëm edhe tri ditë kur edhe pritët të mbahet seanca e parë e legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Kosovës.