Isa Mustafa në konferenë për media Foto: KALLXO.com

Mustafa: Nuk synojmë të marrim postin e presidentit, e kemi kryeministrin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk janë të interesuar për postin e presidentit, pasi që kanë atë të kreut të Qeverisë.

Mustafa në emisionin Pressing në T7 ka deklaruar se pret që çështja e postit të shefit të shtetit të zgjidhet brenda afatit kushtetues, përkatësisht deri në janarin e vitit të ardhshëm.

“Kandidatë kemi mjaft, se në Lidhje Demokratike kemi mjaft kuadro që do ta bënin këtë punë me përgjegjësi shumë të madhe, dhe do ta prezantonte jashtë dhe brenda… Mirëpo, ne jemi deklaruar se jemi të gatshëm të pajtohemi me një zgjidhje në mënyrë që LDK-ja ta mbante qeverisjen. Nuk do të kërkojmë dy pozita, kryeministrin dhe presidentin e vendit. Këmbëngulja jonë për presidentin do të vështirësonte zgjidhjen”, u shpreh ai.

Më tej, ai kërkoi nga PDK dhe LVV që të ulen në një tryezë për të arritur një zgjidhje për postin e presidentit.

“Unë jam i bindur që nuk duhet të shtyhet më shumë se janari i vitit të ardhshëm sepse janë disa afate kushtetuese që ne duhet t’i respektojmë, sepse nëse e shtyjmë më shumë, unë frikohem që nuk do ta kemi fare institucionin e presidentit dhe rrezikojmë të mos kemi president që shpall zgjedhje, e as që mandaton kryeministrin”, u shpreh Mustafa.

Posti i presidentit të ri të vendit ka ndikuar që diskursi ndërmjet partive politike të vend të ashpërsohet.

Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Më 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë opsion.

Deri më tash, vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja.

Të mërkurën, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri deklaroi se emri i presidentit kalon nëpër zyrat e LDK-së.