Matthew Palmer - Foto: REL

Palmer: Opozita duhet të jetë besnike e të qëndrojë në sallë kur votohet presidenti

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë për RTV Dukagjinin ka thënë se ShBA do të punojë me çdo qeveri që del nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

“Do të dëshirojmë që të shohim qeveri të formuar dhe partnere e mirë dhe e fortë për Shtetet e Bashkuara. Nuk jemi të parapëlqyer në politikën e të tjerët, punojmë me qeveri që dalin nga zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike. Duket që ka rrugë shumë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë, që mund të jetë partnere e tillë e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ai.

Ai theksoi se opozita duhet të jetë besnike ndaj qytetarëve të saj dhe të qëndrojë në Kuvend kur zgjidhet presidenti.

“Sa i përket zgjedhjeve për presidencë, ne mendojmë se ato parti që do të jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale. Lojale jo ndaj qeverisë, por lojale ndaj shtetit. Të bëjnë punën e tyre, të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të mund të funksionojnë. Gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhje të tjera. Kosovës i duhet një qeveri, një president dhe rrugëtim përpara drejt Evropës”, ka deklaruar Palmer.

Palmer sot gjatë ditës ka zhvilluar takime virtuale edhe me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin dhe me u.d. presidenten Vjosa Osmani.