Aleksandar Vuçiq

Vuçiq: Bisedimet me Lajçakun dhe Escobarin nuk ishin të lehta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me të dërguarin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se bisedimet nuk ishin të lehta dhe se ato do të vazhdojnë sonte.

Portali i televizionit shtetëror serb RTS njofton se Vuçiq përmes një video-mesazhi në llogarinë “buducnostsrbije” në Instagram ka thënë se bisedimet nuk kanë qenë të lehta dhe se ato do të vazhdojnë sonte në orën 22:00.

“Shpresoj në një kompromis, por sigurisht që do të mbrojmë interesat e serbëve në Kosovë dhe Metohi!”, tha Vuçiq në këtë video-mesazh.

Duke iu drejtuar serbëve të Kosovës, Vuçiq tha se gjithmonë do të luftojnë për paqe dhe stabilitet dhe se nuk do të devijojnë për asnjë sekondë nga interesat jetike kombëtare dhe shtetërore.

“Para së gjithash, ne nuk do të devijojmë nga interesat tuaja, siguria juaj”, tha Vuçiq.

Edhe Mirosllav Lajçak tha se bisedimet me Vuçiqin ishin të vështira.