Vuçiq: Askush nga BE nuk ka folur për njohje reciproke, sot e dëgjuam për herë të parë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur rreth deklaratave të kancelarit gjerman, Olaf e Scholz, se marrëveshja me Serbinë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes me Kosovën.

Vuçiq ka thënë se askush nga vendet e BE-së nuk ka folur për njohje reciproke dhe se këtë e ka dëgjuar për herë të parë sot.

“Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës. Këtë e dëgjuam për herë të parë sot në një konferencë shtypi në Prishtinë, është një befasi e madhe për ne”, tha Vuçiq.

Ai tha se gjërat po ndryshojnë në përputhje me atë që po ndodh “në disa pjesë të tjera të Evropës”.

“Nëse mendoni se duhet të na kërcënoni sepse ne po përpiqemi të ruajmë rendin e Kombeve të Bashkuara ose sepse duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi, ne nuk kemi asgjë kundër”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia kurrë nuk e ka refuzuar dialogun”.

Scholz pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sot në Prishtinë, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz tha se për dialogun duhet qëndrim konstruktiv, duke shtuar se një marrëveshje përfundimtare do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, tha Scholz.

Kancelari gjerman tha se në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme.

“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE midis Kosovës dhe Serbisë të çohet përpara. Në kohëra si kjo, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen më të qarta… është një arsye edhe më e shumë dhe më e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje përfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Scholz.

“Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime, për vende pune dhe me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë”, ka shtuar ai.

Scholz po qëndron në Beograd pasi disa orë më parë u takua në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.