Vrau dy kaproj, aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve I. B. dhe K. N., nën dyshimin e kryerjes së tri veprave të ndryshme penale.

I. B., sipas aktakuzës që ka siguruar KALLXO.com po dyshohet se më datë 24 dhjetor 2023, rreth orës 20:40 minuta në magjistralen Pejë-Rugovë kishte gjuajtur me armë dy kafshë të egra – kaproj dhe më pas i kishte prerë.

Pas këtij akti, kafshët e prera ai i kishte ngarkuar në automjetin Mitsubishi L040 dhe i kishte mbështjellë me qese.

Vetura më pas ishte ndaluar nga patrulla policore ku ishte gjetur mishi i kafshëve të egra dhe arma me të cilën u krye vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët kishte mbajtur në pronësi edhe armë gjuetie, 13 fishekë të kalibrit 30-06 dhe dy radiolidhje.

Arma e mishi më pas konfiskohen nga ana e Policisë së Kosovës.

Aktakuza shpjegon se i pandehuri i dytë, K. N., ma dashje në fshatin Shtupeq i Vogël në Rugovë e ka ndihmuar të pandehurin I. B. në kryerje të veprës penale.

K. N., sipas aktakuzës ka marr një sasi të mishit të kaprojve dhe e ka vendosur në veturën e tij xhip.

Nga aty, i njëjti është nisur në drejtim të Pejës ku më pas edhe ishte ndaluar nga Policia.

Aty, zyrtarët policor kanë konfiskuar edhe pjesën tjetër të mishit.

I. B. me këto veprime dyshohet se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Gjuetia e paligjshme”.

Ndërsa, K. N., dyshohet për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

Kallëzimi penal për këtë rast siç mësohet është pranuar nga Prokuroria e Pejës më datë 26 dhjetor 2023, hetimet për rastin kanë filluar më pas më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Përderisa aktakuza është ngritur më 9 janar 2024.