Vrasja për kontest pronësor, rrëfehet në gjykatë dëshmitari okular

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve të komunës së Vitisë dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë edhe sot në Gjykatën e Gjilanit.

Të akuzuarit për vrasje, sipas Prokurorisë, me mjete të forta e kanë vrarë (mbytur), kushëririn e tyre Muhamet Ismajli.

Në seancë u dëgjua dëshmitari Argjend Halabaku, i cili tha se të akuzuarit i ka dajallarë. Ai tha se ka dhënë deklaratë në polici dhe në Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

“Ditën kur ka ndodhur rasti, unë kam qenë tek dajtë e mi. Aty kam parë se Ismeti ka dalë tek prona dhe pasi i pashë u ndala edhe unë. Pastaj u afrua edhe Adnani dhe i tha Ismetit se unë kam ardhur prej Zvicrës për këtë punë dhe ju nuk mundeni me punu këtu dhe ju tha se ‘ju nuk mund ta ngulni çadrën këtu’. Pas një kohe shumë të shkurtër kanë ardhur djemtë e të ndjerit, Ermondi dhe Armendi dhe aty janë ndalur, kanë dalë nga vetura dhe Ermondi ka dashur të afrohet. U ofrua te vetura dhe e ka nxjerrë një shati, kurse Armendi e ka nxjerrë një kaci (lopatë). Kam provu me qetësu gjendjen, por Ermondi nuk ka pranuar dhe ka provuar edhe mem godit”, tha dëshmitari Halabaku.

Tutje dëshmitari tha se nuk e di se kush ka qenë i shtrirë në vendin e ngjarjes pasi personin e shtrirë e ka pasur larg.

“Unë nuk e di se a ka qenë i ndjeri i shtrirë afër shtëpisë së tij, pasi ka qenë pak ma larg, diku 15-20 metra nga vendi ku kam qenë unë. E di se prona ku ka ndodhur rasti, është e Ismetit dhe stalla e bagëtive që gjendet aty afër e që është gjithashtu e Ismetit, kufizohet me pronën për të cilën edhe ka ndodhur rasti. Para se me ndodh rasti, unë shpesh i kam vizituar dajtë e mi, madje shpesh edhe ju kam ndihmuar. Raportet mes dajve të mi dhe familjes së të ndjerit Muhamet, nuk kanë qenë edhe të këqija. Nuk mund të them se Ermondi e ka goditur dikë pasi nuk e kam parë, gjithashtu nuk e di nëse Ermondin e ka goditur dikush me ndonjë send”, tha në vazhdim dëshmitari Halabaku.

Pasi për seancën e radhës do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë, seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta do të vazhdoj më 7 qershor.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh, kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Vrasja e kushëririt për kontest pronësor, Gjykata ndalon publikimin e dëshmisë së dëshmitarëve