Vrasja e kushëririt për kontest pronësor, Gjykata ndalon publikimin e dëshmisë së dëshmitarëve

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit.

Ata po akuzohen (të akuzuarit për vrasje), se me mjete të forta e kanë vrarë, kushëririn e tyre Muhamet Ismajli.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari Jashar Ismajli, dëshminë e të cilit Gjykata e ndaloi të publikohet, sepse pas tij do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë dhe mund të dëmtohet rrjedha e procedurës penale.

“U ndalohet të gjitha palëve, pra edhe monitoruesve që të bëjnë publike dëshminë e dëshmitarit, pasi që jemi në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve dhe mund të dëmtohet rrjedha e procedures penale”, tha kryetari i trupit gjykues, Sabedin Mushica.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK