Atdhe Musliu, I akuzuar Foto: KALLXO.com

Vrasja në shkurt në Fushë Kosovë, shtyhet seanca fillestare pasi mbrojtja s’i kishte shkresat e lëndës  

Seanca fillestare lidhur me vrasjen e Arsim Halitit në Fushë Kosovë, për të cilën akuzohen Atdhe Musliu e Labinot Bajrami ishte e paraparë të mbahej sot, mirëpo u shty për shkak se mbrojtja nuk posedonte shkresat e lëndës.

Ky rast po gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni.

Avokati Taulant Broqi i cili mbron të akuzuarin Musliu, propozoi që seanca të shtyhet pasi që nuk janë pajisur me shkresa të lëndës për shkak të kohës së shkurtër të njoftimit për ngritjen e aktakuzës.

Me këtë propozim u pajtua edhe avokati Valdet Zeqiri, i cili mbron të akuzuarin Bajrami.

Ndërsa, Prokurori Armend Hamiti tha se ka pasur vështirësi në bartjen e CD – ve të cilat janë pjesë e provave.

Lidhur me këtë propozim u deklarua edhe avokati Behaj Ejupi i cili në këtë procedurë përfaqëson familjarët e viktimës.

“Si mbrojtje e palës së dëmtuar jemi të interesuar që kjo çështje penale të procedohet duke mos bërë shkelje të kodit të procedurës…andaj në këto rrethana nuk kemi kundërshtim, edhe pse sot jemi të gatshëm të vazhdojmë me seancë” u shpreh Ejupi.

Prandaj gjykata aprovoi këtë propozim të mbrojtjes dhe seanca u shty për datën 5 shtator.

41-vjeçari Arsim Haliti kishte mbetur i vdekur nga plagët e thikës në shkurtin e këtij viti në Fushë Kosovë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami për shkak të një mosmarrëveshje e kishin sulmuar me grushte, shqelma dhe sende të forta viktimën i cili po tentonte të ikte dhe të i shmangej sulmit.

Të akuzuarit, sipas aktakuzës, e kanë ndjekur dhe kanë vazhduar ta godasin viktimën.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Atdhe Musliu me qëllim të privimit nga jeta e ka goditur viktimën me thikë në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast e kishte privuar nga jeta.

Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar si vepra penale e vrasjes në bashkëkryerje, kurse Ardhe Musliu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.