Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja në Prizren. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Vrasja në Prizren, banori raporton në polici se një nga plumbat depërtoi edhe në veturën e tij

Nga plumbat që u shkrepën ku mbeti i vdekur 48-vjeçari Beqir Morina mbrëmë në Prizren, dëme materiale pësoi edhe një veturë që ishte e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një person shkoi në Policinë e Kosovës e raportoi se një plumb kishte depërtuar në veturën e tij.

Siç mëson KALLXO.com, vetura ishte e parkuar para shtëpisë.

Beqir Morina dyshohet se është vrarë nga i dyshuari, Aziz Gashi, i cili më pas iku nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari vazhdon të jetë në arrati edhe sot, më shumë se 12 orë nga ndodhja e rastit.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se i dyshuari Gashi, me prejardhje nga fshati Sferkë të Komunës së Klinës por që po jetonte në lagjen e njëjtë me viktimën.

Tutje siç tregojnë burime të KALLXO.com, të dhënat e para nga raportet policore flasin se viktima ishte në prani të dy familjarëve të tij kur u gjuajt drejt të njëjtit me armë automatike.

Dy familjarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime ndërsa 48-vjeçari ka vdekur.

Në raportin e sotëm 24-orësh policor është thënë se deri më tani PK ka kryer disa bastisje në disa lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit.

Personi që po kërkohet nga policia për këtë rast, dyshohet se kreu krimin e më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë edhe armën që përdori me vete.

Tutje është thënë se me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se ngjarja u regjistrua rreth orës 19:00 ndërsa ekipi i emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Policia dhe ekipet e tjera kanë dal në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat që quan deri në vrasjen e viktimës, përderisa në vendngjarje ka dal edhe prokurori i rastit. Më shumë se 12 orë nga vrasja në Prizren, i dyshuari ende në arrati.

Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja në Prizren. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com