Vrasja e trefishtë në Gllogjan, anulohet seanca ndaj tre të akuzuarve Mehmetaj

 

Seanca e shqyrtimit fillestar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, e caktuar të mbahej sot, është anuluar për shkak të mos-sigurimit të provave të propozuara në aktakuzë nga prokuroria ndaj mbrojtjes.

Njoftimin për anulimin e seancës për Kallxo.com e ka konfirmuar mbrojtësi i njërit nga të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, avokati Sylë Lokaj.

Ai gjithashtu konfirmoi, që më datë 5 qershor, përmes parashtresës kishte njoftuar përsëri gjykatën, kryetaren e trupit gjykues Violeta Husaj Rugova për sigurimin e provave të propozuara në aktakuzë që nuk i janë dorëzuar.

Seanca e radhës pritet të mbahet pasi që prokuroria t`ia sigurojë të gjitha provat e propozuara në aktakuzë mbrojtjes.

Prokuroria themelore në Pejë konfirmon për Kallxo.com tha se pas ngritjes së aktakuzës për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, të gjitha shkresat e lëndës janë dërguar në Gjykatë dhe janë deponuar në sistemin SMIL, bashkë me të gjitha provat por për shkak se është një rast penal me një dosje voluminoze, pala mbrojtëse po pretendon se nuk janë të emëruara disa prova për shkak të numrit të madh të tyre dhe në rast se të njëjtit kërkojnë një provë të caktuar, për këtë arsye kanë kërkuar që të ketë një indeks.

“Janë mbi 80 CD me prova materiale, pala mbrojtëse është ankuar se nuk janë të emëruara disa prova dhe kanë kërkuar që të specifikohet emërtimi i tyre. Kjo është arsyeja e anulimit të seances se sotme”.

Në konferencën për media, të 5 majit 2023 prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale.

Tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtar në fshatin Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021. Dy nga të vdekurit ishin nxënës ndërsa personi tretë sipas të dhënave zyrtare nga Policia në Pejë ishte drejtuesi i autobusit.

Ngjarja që ndodhi në Gllogjan në nëntor të vitit 2021 ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes deri sa një autobus po qarkullonte në rrugën nëpër Gllogjan.

Për këtë rast ishin arrestuar tre persona. Arrestimi erdhi vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë që kishte ndodhur.

Fillimisht pas arrestimit, prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte kërkuar nga Gjykata e Pejës që të dyshuarve t`u caktohej masa e paraburgimit nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjykata e Pejës kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi dhe kishte caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit.

Tutje në janar të vitit 2022 njërit prej të arrestuarve më 11 dhjetor të vitit 2021, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Në shkurt të vitit 2022, ishte arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në Gllogjan.

Ky i dyshuar sipas burimeve të KALLXO.com, ishte familjar i tre të dyshuarve që ishin arrestuar paraprakisht.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund ti gjeni në këtë LINK