Mblidhet Këshilli i Sigurisë në Bashkësi në Podujevë pas vrasjes së Lulzim Fejazullahut. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Vrasja e të riut – Mblidhet Këshilli i Sigurisë në Bashkësi në Podujevë, mbledhja mbahet e mbyllur

Në momentin kur do të diskutohej më në detaje ngjarja nga e cila pasoi vdekja e të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë, kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi mbylli mbledhjen e Këshillit për Siguri në Bashkësi për media.

Ai arsyetoi mbylljen me idenë se mund të ketë informacione konfidenciale nga ana e Policisë së Kosovës për rastin.

Në lidhje me këtë çështje kryetari Bulliqi tha se pas mbledhjes do të mbajnë edhe një deklarim për media.

KALLXO.com kërkoi të dijë nëse pjesë e konferencës do të jetë edhe Policia, por komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Nijazi Jashari, i cili gjendet brenda sallës ku po mbahet mbledhja, tha se nuk kanë autorizim nga zyra qendrore që të flasin për këtë ngjarje.

Para se të mbyllte mbledhjen e thirrur pas vrasjes së të riut Lulzim Fejzullahu, kryetari Bulliqi tha se rasti ishte tragjik ndërsa janë disa angazhime policore të cilat janë ndërmarrë përgjatë kësaj periudhe nga ana e Policisë në mënyrë që të parandalohen dukuri të tilla.

“Rasti i fundit ishte tragjik rast që na ka prek të gjithëve dhe sigurisht nga ky grup ku jemi shfrytëzoj nga rasti që familjes me i shpreh ngushëllime dhe këtë humbje të madhe ta tejkalojnë sa ma lehtë, përkundër që ndjejmë dhimbje me këtë familje sepse humbja e një t riu në këto rrethana ishte një ndjenjë e dhimbshme, një ndjenjë që të gjithë neve duhet të na vetëdijesim që këto raste të merren seriozisht dhe situata të tilla mos të ndodhin” – tha kryetari.

Tutje ai shtoi se kanë marrë një varg veprimesh të përbashkëta duke siguruar zyrtarët policorë me rroba civile për të përcjellë gjendjen nëpër shkolla.

“Veprimet që janë ndërmarrë nga angazhimet policore janë bërë për të parandaluar dukuri të tilla negative”- tha Bulliqi gjatë mbledhjes.

Ai theksoi se tani duhet të shikohen të dhënat që janë e më pas të shikohet për veprimet e mëtutjeshme që duhet të ndërmerren në lidhje me sigurinë në qytetin e Podujevës.

“Të ulemi e të shikojmë se cilat janë veprimet e mëtutjeshme dhe në cilën kahje duhet ta angazhojmë punën tonë që të mos ndodhin dukuri të tilla. Unë sot e kam parë të rrugës që bashkërisht me anëtarët për Siguri në Bashkësi t’i diskutojmë të gjitha rreth kësaj situate që është krijuar por edhe t’i diskutojmë hapat e veprimit në të ardhmen që dukuri të tilla mos të ndodhin në komunën tonë” – u shpreh i pari i komunës.

Ai në fund kërkoi që mbledhja të mbyllet, e kjo pasi vlerësoi që situata është sensitive.

Raportimet për vrasjen e 18-vjeçarit mund t’i gjeni KËTU.