Vrasja e policit në Zllatar, rasti kalon tek një gjyqtar tjetër

Lirim Haxholli, zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë sipas Prokurorisë nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng më 18.02.2022.

Dosja e prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në një aheng ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.

Fatlum Mehmeti po akuzohet se vrau me dashje eventuale policin Haxholli nga një distancë 70-80 cmm.

Ky rast ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësi Kushtrim Shyti, por i njëjti është avancuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës më 27.12.2023.

Tani kjo lëndë i është caktuar gjyqtarit Ertan Sejfulla.

Për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënesja e kësaj gjykate Mirlinda Gashi.

Për këtë rast në seancën e datës 15.12.2023 kishte dëshmuar zyrtari policor A. Z., i cili kishte qenë në ahengun në të cilin ndodhi ngjarja.

Ai kishte rrëfyer për momentet e para pas ngjarjes kritike e deri tek dëshmitë e tij të dhëna në institucionet e drejtësisë.

“Kam qenë ratë në një krevet, kur e kam dëgju krismën, kam mbetur i shtangur dhe e kam parë Fatlumin me armë në dorë, ka qenë duke e shikuar (armën). I kam bërtitur: “Gjuaje armën!”.

Pastaj ka filluar ta shajë e godasë veten Fatlumi duke i thënë vetes: “Çka bone o budallë?” – kishte rrëfyer para gjykatës dëshmitari.

Dëshmitari kishte thënë se para se të ndodhte vrasja momenti i fundit që e kishte parë të akuzuarin atë natë ishte ai kur Fatlum Mehmeti ishte duke qëndruar shtrirë dhe me telefon në dorë.

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari pjesëtar i Policisë së Kosovës, me akademi policore të përfunduar, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare e tipit Gllok e kal. 9 mm.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se 5 vjet burgim.

Fatlum Mehmetit, Gjykata i kishte shqiptuar masën e paraburgimit më 20.02.2022 ndërsa të dyshuarve të tjerë u kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

Prokuroria e Prishtinës më 20.02.2024 ka ngritur aktakuzë edhe ndaj 14 zyrtarëve policor, të përfshirë në rastin e vrasjes së policit më 18.02.2022, në fshatin Zllatar në kryeqytet.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një villë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.

Sipas aktakuzës, të njëtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e villës ku zhvillohej ahengu.