I akuzuar Fatlum Mehmeti, seanca 05.12.2023, Foto/KALLXO.com

Gjykimi i ish-policit për vrasjen e kolegut gjatë ahengut, dëshmitari: I kam bërtitur “Gjuaje armën!”

Zyrtari policor A.Z. ka shpalosur detaje të reja për rastin ku kishte mbetur i vrarë kolegu i tij, Lirim Haxholli.

Për vrasjen e Haxhollit po gjykohet kolegu i tij Fatlum Mehmeti.

Në Gjykatën e Prishtinës A.Z. ka rrëfyer detaje rreth ngjarjes kritike të natës së 18 shkurtit të vitit të kaluar.

Dëshmitari tregoi se atë mbrëmje ishin mbledhur disa kolegë – zyrtarë policorë në një aheng, ku kishte pasur muzikë, valle e harmoni mes të pranishmëve. Por, përfundimi i ahengut kishte qenë i kobshëm.

A.Z. tha se ahengu kishte qenë hera e parë që e kishte takuar Lirim Haxhollin, kurse me të akuzuarin, Fatlum Mehmetin, tha se ka pasur shoqëri të mirë.

Tutje, ai tregoi detaje të momentit tragjik.

“Kam qenë ratë në një krevet, kur e kam dëgju krismën, kam mbetur i shtangur dhe e kam parë Fatlumin me armë në dorë, ka qenë duke e shikuar (armën). I kam bërtitur: “Gjuaje armën!”. Pastaj ka filluar ta shajë e godasë veten Fatlumi duke i thënë vetes: “Çka bone o budallë?” – rrëfeu para gjykatës dëshmitari.

Porsa e rrëfeu këtë detaj dëshmitari, i akuzuari Fatlum Mehmeti u pa i përlotur.

Dëshmitari tha se para se të ndodhte vrasja momenti i fundit që e kishte parë të akuzuarin atë natë ishte ai kur Fatlum Mehmeti ishte duke qëndruar shtrirë dhe me telefon në dorë.

Rreth këtyre detajeve ka reaguar avokati Besnik Berisha, i cili e përfaqëson familjen Haxholli. Ai tha se këto detaje ishin të reja dhe të pathëna më parë.

Ai ballafaqoi dëshmitarin me dëshmitë e dhëna në Prokurori në gusht të vitit të kaluar, e me dëshminë e dhënë në IPK një ditë pas ngjarjes kritike.

“Nuk kam qenë në gjendje shëndetësore të mirë, kemi qenë edhe në gjendje shoku, kurse natën kritike kemi nejtë çutë deri në mëngjes, kurse pak pasi kemi mbërritur në shtëpi na ka thirrë IPK-ja për deklaratë” – u shpreh dëshmitari.

Ai tha se disa detaje e di që i ka përmendur në disa deklarata, kurse shtoi për këtë rast është intervistuar 3 herë.

Gjithashtu, dëshmitari rrëfeu se si 4-5 zyrtarë policorë e kishin bartur kolegun e tyre të qëlluar me armë zjarri derisa kishte ardhur autoambulanca.

Trupi gjykues që po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kushtrim Shyti – kryetar, Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi – anëtarë.

Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Fatlum Mehmetit, Ggjykata i kishte shqiptuar masën e paraburgimit ndërsa të dyshuarve të tjerë u kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.