Vrasja e policit në Zllatar, aktakuzë ndaj 14 policëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policor, të përfshirë në rastin e vrasjes së policit më 18.02.2022, në fshatin Zllatar në kryeqytet.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një villë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.

Sipas aktakuzës, të njëtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e villës ku zhvillohej ahengu.

Me këtë, secili prej tyre individualisht sipas prokurorisë e kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Si ndodhi ngjarja në Zllatar?

18.02.2022, një zyrtar policor ishte vrarë në Zllatar të Prishtinës gjatë një ndeje të organizuar nga 16 zyrtarë policorë në një villë.

Ndeja kishte filluar nga ora 19:00. Ata fillimisht deri te villa ishin transportuar me një automjet “Jeep” nga pronari deri te villa për shkak se terreni në atë zonë është vështirë i kalueshëm me automjete të vogla.

Nga e gjithë ngjarja, 14 armë ishin sekuestruar për t’u dërguar më pas në ekzaminim.

Në mesin e armëve të sekuestruara është edhe arma zyrtare e viktimës të cilën e kishte me vete.

KALLXO.com ka raportuar më datën 27.07.2023 se Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje evantuale e ka privuar nga jeta duke e qëlluar me armë kolegun e tij, policin 27-vjeçar Lirim Haxhollin, ku edhe kishte mbetur i vrarë natën e 18 shkurtit 2022 në një aheng privat të organizuar nga disa zyrtarë policorë.

Dosja e prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezent në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.