Ndejë private ku prezent ishin 15 policë, detaje nga vrasja e policit në Zllatar

Mbrëmë në mesnatë në fshatin Zllatar të Prishtinës u vra nga arma e zjarrit një polic.

Ai dyshohet se u qëllua nga një koleg zyrtar policor gjatë një ndenje.

Sot, përmes një njoftimi për media, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se gjashtë policë janë suspenduar ndërsa njëri prej tyre po dyshohet se qëlloi kolegun e tij.

Gjithsej, sipas këtij institucioni mbikëqyrës të Policisë së Kosovës, në ndejë ishin të pranishëm 15 zyrtarë policorë.

“Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion  përmes “Linjës së kaltër” nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare”, njofton IPK.

Pas rastit, IPK ka suspenduar gjashtë zyrtar policë ndërsa ka rekomanduar edhe suspendimin e nëntë të tjerëve.

“Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftim.

“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar”, vijon njoftimi.

Vrasja e policit në Zllatar, suspendohen 6 policë

www.kallxo.com