Arkiv - Foto: RFE/RL/REL
Vrasja e Kujtim Veselit, aktivistët padisin Këshillin Prokurorial të Kosovës
Aktivisti i fushatës ‘Drejtësi për Kujtimin’, Skord Retkoceri, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), si pasojë e refuzimit të qasjes në dokumente publike për vrasjen e Kujtim Veselit, 11 vjeçarit nga komuniteti ashkali nga Fushë Kosova.
Aktivistët e fushatës ‘Drejtësi për Kujtimin’ me 1 korrik kishin kërkuar qasje në dy dokumente të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për procedurën disiplinore të zhvilluar ndaj prokurorit Ruhan Salihu që ka trajtuar rastin e Kujtim Veselit, duke kërkuar: Vendimin e Këshillit Prokurorial i Kosovës dhe Raportin Hetimor.
Avokati i Popullit i ka vlerësuar si të pabazuara këto pretendime të KPK-së dhe më 26 shkurt 2021 ka nxjerrë Raport me Rekomandime, sipas ankesës së Skord Retkocerit duke e mbështetur kërkesën e aktivistëve për qasje në dokumentet e kërkuara. Më 29 mars 2021, duke vepruar në kundërshtim me rekomandimin e Avokatit të Popullit, KPK ka refuzuar sërish kërkesën për qasje në dokumentetet e kërkuara.
Më 20 tetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 25 vjet burgim Sefedin Osmanin, i cili akuzohej për dhunim të përsëritur dhe vrasjen e 11-vjeçarit.
Për këtë rast, familja, avokatja dhe shoqëria civile kërkuan hetim penal ndaj zyrtarëve policorë si dhe prokurorëve të cilët, sipas tyre, por edhe sipas një raporti të Avokatit të Popullit, neglizhuan rrezikun më të cilin ishte duke u përballur Kujtimi.
Përkundër kërkesave, zyrtarët policorë shpëtuan pa u ndjekur penalisht, njëjtë siç kaloi edhe prokurori i rastit, Ruhan Salihu.
Më datë 12 nëntor, 2019, Këshilli Prokurorial i Kosovës i Kosovës konstatoi se prokurori Ruhan Salihu kishte kryer shkelje disiplinore përmes veprimeve të tij në rastin vrasjes së Kujtim Veselit. Por, dënimi ishte vetëm masë administrative duke i shqiptuar masë disiplinore “ulje e pagës në 30%, për 6 muaj” për shkeljet disiplinore që rezultuan me vrasjen e Kujtim Veselit.
“Aktivistët e fushatës vazhdojnë ta konsiderojnë këtë masë si joadekuate në raport me shkeljet dhe neglizhimin e rëndë institucional që e karakterizoi këtë rast, e që rezultuan me dhunimin e përsëritur seksual dhe vrasjen e Kujtimit 11 vjeçar”, shkruan në komunikatë.
Përfaqësuesja e autorizuar e Retkocerit, avokatja Rina Kika, ka thënë se padia e dorëzuar ndaj KPK paraqet hap të domosdoshëm për të realizuar të drejtën e aktivistëve për njoftimin e publikut lidhur me arsyetimin e KPK-së për shqiptimin e një masë ndëshkuese me ulje page vetëm në 30%, për prokurorin përgjegjës të rastit të Kujtimit, rast që përfundoi tragjikisht dhe u cilësua me shkelje të rënda institucionale.
Refuzimi i qasjes në dokumentet e kërkuara paraqet shkelje të të drejtës në lirinë e shprehjes e të drejtës në qasje në dokumente publike që mbrohen me nenet 40 dhe 41 të Kushtetutës dhe me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Aktivistët paralajmërojnë se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojnë t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për t’i zbardhur shkeljet e institucionale në këtë rast, dhe për të kërkuar përgjegjësi nga shkelësit. Kjo përfshin edhe realizimin e të drejtës në qasje në dokumentetet publike.
Kujtim Veseli, 11 vjeçar, ishte dhunuar seksualisht për muaj me radhë e pastaj u vra më 11 korrik 2019.
Prokuroria dhe Policia ishin të njoftuar lidhur me dhunimin seksual të Kujtimit, megjithatë nuk ndërmorën veprime për arrestimin e dhunuesit.
Avokati i Popullit kishte zhvilluar hetime ex-officio duke e konstatuar neglizhencën institucionale gjatë trajtimit të rastit të Kujtim Veselit që kishte për pasojë shkeljen e të drejtës në jetë, të drejtës në mirëqenie sociale e një varg të drejtash tjera që i takojnë fëmijëve.
Prokuroria dhe Policia edhe pse të njoftuar lidhur me dhunimin seksual të Kujtimit, nuk ndërmorrën veprime për arrestimin e dhunuesit dhe mbrojten e Kujtimit.
Avokati i Popullit në raportin ex-officio kishte konstatuar neglizhencën institucionale gjatë trajtimit të rastit të Kujtim Veselit që kishte për pasojë shkeljen e e të drejtës në jetë, të drejtës në mirëqenie sociale e një varg të drejtasht tjera që i takojnë fëmijëve.
Mbi 2500 persona nënshkruan peticionin që kërkon drejtësi për Kujtim Veselin.
Peticioni ka tri kërkesa:
- Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit: kërkim falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit.
- Nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit: inicimi i hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, si dhe dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për mos-kryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës se Kosovës.
- Nga Qeveria e Kosovës: kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit.
Në këtë vegëz mund të gjeni artikujt për procesin e rastit të Kujtim Veselit: https: kallxo.com/tag/kujtim-veseli/