Arkiv - Foto: RFE/RL/REL

Avokati i popullit kërkon nga KPK qasje në dokumentet e procedurës disiplinore për rastin e vrasjes se Kujtim Veselit

Më 1 korrik 2020, Skord Retkoceri, aktivist i fushatës ‘Drejtësi për Kujtimin’, ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente zyrtare në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) me të cilën ka kërkuar qasje në dy dokumente për procedurat disiplinore të zhvilluara ndaj dy prokurorëve që kanë trajtuar rastin e Kujtim Veselit.

Përmes kësaj kërkese janë kërkuar: Vendimin e Këshillit Prokurorial i Kosovës KPK/Nr.729/2019 të datës 12 nëntor 2019 dhe Raportin Hetimor AD.nr.18/2019 të datës 11 tetor 2019.

Këshilli kishte refuzuar kërkesat e përsëritura të aktivistit Retkoceri për qasje në këto dokumente duke u arsyetuar se bëhet fjalë për dokumente konfidenciale.

Mirëpo Avokati i Popullit ka kërkuar nga KPK qasje për aktivistët në dokumentet që çuan në vendimin për shqiptimin e masës disiplinore “ulje e pagës për 30%, për 6 muaj” për shkeljet që rezultuan me vrasjen e Kujtim Veselit.

Kurse përfaqësuesja e autorizuar e Retkocerit, Avokatja Rina Kika ka thënë se “Publiku ka të drejtë ta dijë se si ka arritur KPK në përfundim që ta ndëshkojë me vetëm afro 3000 euro prokurorin përgjegjës për shkelje disiplinore gjatë trajtimit të rastit të Kujtimit 11 vjeçar, që rezultuan me dhunimin e përsëritur seksual dhe vrasjen e tij.

Refuzimi i lejimit të qasjes në dokumentet e kërkuara paraqet shkelje të të drejtës në qasje në dokumente publike nga KPK që mbrohet me nenin 41 të Kushtetutës dhe me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, liria e shprehjes përfshin të drejtën për t’u shprehur lirshëm por edhe të drejtën për të dhënë informata në interes publik.

“Prandaj aktivistët për të drejtat e njeriut, si Skord Retkoceri kanë të drejtë ta njoftojnë publikun për çështje me interes publik, ndërkaq publiku ka të drejtë të ketë qasje të informata të tilla me interes publik”, thuhet në njoftim.

Aktivistët e fushatës ‘Drejtësi për Kujtimit’ e cilësojnë Raportin e Avokatit të Popullit si fitoren e parë në rrugëtimin e kërkesave për përgjegjësi institucionale për neglizhimin e rastit të Kujtimit.

Megjithatë, ata theksojnë se mbetet të shihet nëse KPK do ta zbatojë rekomandimin e Avokatit të Popullit apo do të vazhdojë t’ua shkelë të drejtat aktivistëve dhe publikut në qasje në dokumente publike.

Ata kanë paralajmëruar që gjatë muajve në vijim do t’i ndërmarrin disa veprime konkrete ligjore për realizimin e kërkesave të shprehura në peticion deri në arritjen e ‘Drejtësisë për Kujtimin’.

Prapavija e rastit

Kujtim Veseli, 11 vjeçar, ishte dhunuar seksualisht për muaj me radhë e pastaj u vra më 11 korrik 2019.

Prokuroria dhe Policia ishin të njoftuar lidhur me dhunimin seksual të Kujtimit, megjithatë nuk ndërmorën veprime për arrestimin e dhunuesit.

Avokati i Popullit kishte zhvilluar hetime ex-officio duke e konstatuar neglizhencën institucionale gjatë trajtimit të rastit të Kujtim Veselit që kishte për pasojë shkeljen e të drejtës në jetë, të drejtës në mirëqenie sociale e një varg të drejtash tjera që i takojnë fëmijëve.

Mbi 2000 persona kishin nënshkruan peticionin që kërkonte ‘Drejtësi për Kujtim Veselin’.

Peticioni kishte tri kërkesa:

  1. Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit: kërkim falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit.
  2. Nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit: inicimi i hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për mos-kryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës se Kosovës.
  3. Nga Qeveria e Kosovës: Kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit.

Ndaj kërkesave të peticionit kanë kthyer përgjigje Policia e Kosovës dhe Prokuroria.

Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk ka gjetur shkelje nga zyrtarët e saj.

Prokuroria është përgjigjur se tashmë janë kryer hetimet dhe janë ndërmarrë masa ndaj prokurorëve për shkelje disiplinore.

Rrjedhimisht, sipas njoftimit nuk janë inicuar procedura të pavarur ndaj prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin.

Sipas reagimit as policia dhe as prokuroria nuk kanë kërkuar falje për neglizhimin e rastit, kurse nga Qeveria deri me tani nuk është dhënë asnjë përgjigje për kompensimin e familjes se Kujtim Veselit.

Këto kërkesa vazhdojnë të mbesin të njëjta deri në realizimin e tyre.

Raportin e plotë të Avokatit të Popullit mund ta shfletoni duke klikuar në LINK