Vrasja e dy vëllezërve në Gjakovë, Policia po kërkon edhe një të dyshuar

Dy vëllezër kanë mbetur të vrarë në mbrëmjen e 25 qershorit në fshatin Madanaj të Gjakovës si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri.

Policia e Kosovës kishte treguar se personi që dyshohet se ka kryer aktin po ashtu kishte mbetur i lënduar, e ai më pas ishte arrestuar nga ana e Policisë.

Kjo e fundit sot kanë njoftuar se po kërkojnë edhe një person të dyshuar të përfshirë në rast.

Zef Ademaj, 35-vjeçar, banues në fshatin Zllakuqan të Klinës është personi që po kërkohet, e i cili sipas Policisë së Kosovës po dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve.

Në një njoftim zyrtar, Policia, me autorizim nga Prokuroria e Gjakovës ka publikuar fotografinë e të të dyshuarit në rast, me qëllim lokalizimin e tij.

Policia ka thënë se për këtë vrasje të rëndë janë duke u zhvilluar hetime intensive.

“Prezenca e personit të dyshuar nuk është arritur të sigurohet, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal për Hetime dhe njësiteve tjera policore” – thuhet në njoftim.

Tutje Policia ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë apo stacionin më të afërt policor.

Vrasja e dyfishtë e 25 qershorit dyshohet se ka motive pronësore. Kjo është konfirmuar edhe Hekuran Batusha nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Lidhur me këtë çështje motivi deri te vrasja e dy personave ka ardhur si rrjedhojë e problemeve pronësore” – ka thënë Batusha për KALLXO.com.

Ai kishte treguar se pas vrasjes, personi i dyshuar është arrestuar dhe i njëjti ishte në ndalim policor prej 48 orësh, dhe se një ditë pas ndodhjes së rastit i dyshuari ishte në mbikëqyrje të policisë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”, kjo pasi ai është i plagosur.

Vrasja e dyfishtë në Gjakovë dyshohet se ndodhi për çështje pronësore