Votohet unanimisht, të bëhet me procedurë të përshpejtuar shqyrtimi i parë i Projektligjit të Kodit të Procedurës Penale

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091.

Adnan Rrustemi kryetar i Komisionit për Legjislacion tha se komisioni e ka shqyrtuar këtë projektligj.

“Komisioni ka marr dy vendime. I pari për ta miratuar rekomandimin për Kuvendin e Republikës së Kosovës që ta miratojnë në parim projektligjin dhe me unanimitet të plotë ta procedoj me procedura të përshpejtuara. Duke mos e ditë datën e seancës komisioni nuk a mund të precizoj datat. Konsideroj që sot është e rëndësishme që të shqyrtohet rekomandimi i komisionit për miratim në parim dhe e tërheqim propozimin për ta miratuar dhe shqyrtuar në dy leximet brenda ditës”, tha Rrustemi.

Abelard Tahiri kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se është krijuar një rrëmujë e pa nevojshme.

“E kemi diskutuar në kryesi dhe me qenë se ka qenë kërkesë e prokurorisë që t’i trajtojnë krimet e luftës pavarësisht se jemi opozitë e kemi trajtuar dhe jemi pajtuar që të vij në seancë dhe të trajtohet me urgjencë. Një çështje kaq e rëndësishme pse po tërhiqet. Nuk është mirë me na vënë në lajthitje. Kërkojmë një koordinim më të mirë dhe harmonizim më të mirë mes qeverisë dhe mazhorancës në këtë Kuvend”, tha Tahiri.

Arben Gashi kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së tha se ai nuk e ka të qartë a propozoi mocion procedural Adnan Rrustemi, apo foli në emër të komisionit.

“Ajo çka kemi na të shkruar është: Duke u bazuar në konstatime të theksuara, komisioni Kuvendit i propozon që shqyrtimi i parë dhe i dytë i projektligjit të bëhet në mënyrë të përshpejtuar”, tha Gashi.

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar seriozitet në këtë çështje.

“Ndryshimi i dy neneve në këtë ligj, me procedurë të përshpejtuar e ndihmon të drejtën dhe të vërtetën në Kosovë të luftës së UÇK-së duke e mundësuar gjykimin në mungesë. Tani vinë në një situatë ku pas fjalimit të kryeministrit ndërlidhet edhe një temë përmbajtjesore, lidhet me përfaqësuesit e UNMIK-ut e cila nuk është diskutuar në komision e në kryesi”, tha Tahiri.

Ai e akuzoi LVV-në se nuk po dinë dhe se po veprojnë në mënyrë ad hoc duke mos pas konsensus as për vetveten.

Pas një konsultimi mes shefave të grupeve parlamentare, me 92 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim miratohet propozimi i komisionit që Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 04/L-123  të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091, të bëhet me procedurë të përshpejtuar.