Von der Leyen në Tiranë: Fokus i Samitit të Berlinit do të jetë ekonomia

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë arritjes në Tiranë për Samitin e Procesit të Berlinit ka deklaruar se fokusi i takimit do të jetë ekonomia.

Ajo theksoi se BE-ja do hapë pjesërisht dyert për tregun e Ballkanit Perëndimor pasi këto vende të kryejnë reformat e kërkuara.

“Fokusi do jetë në ekonomi ku kam prezantuar një plan rritjeje ku thuhet se ne po hapim pjesërisht dyert e tregut tonë për kompanitë e Ballkanit Perëndimor, por për këtë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë reforma, ata duhet të përfundojnë/përmbyllin reformat në tregun e tyre rajonal të përbashkët dhe ato vende që kryejnë këto reforma, marrin fonde për investim”- deklaroi ajo para mediave.

Leyen tutje theksoi se ky samit për herë të parë po mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor, e që flet për përkushtimin e tyre në proces.

“Ky është një samit shumë i rëndësishëm i samitit të Berlinit, ky samit është që 10 vite, por për herë të parë po mbahet në Ballkanin Perëndimor dhe përçon një mesazh shumë të rëndësishëm, se sa të vendosur dhe përkushtuar jemi”- shtoi ajo.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

LIVE – Edi Rama pret liderët në Samitin e Berlinit