Von Cramon: Po të varej nga Parlamenti Evropian, Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se po të varej nga ta, Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave.

Këto deklarime Von Cramon i ka bërë pasi i është përgjigjur një postimi në rrjetin social Twitter, të bërë nga faqja “Kosdata”, ku thuhet se vetëm kosovarët s’mund të lëvizin pa viza.

“Njerëz, unë jam e vetëdijshme për këtë fakt. Fatkeqësisht, nuk varet nga unë që të vendos për këtë. Më besoni, nëse ne në Parlamentin Evropian do ta kishim fjalën e fundit, Kosova do t’i kishte të njëjtat mundësi udhëtimi si të gjitha shtetet e tjera evropiane, por është presidenti i Këshillit Evropian ai që e merr vendimin”, ka shkruar ajo, në Twitter.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë, ku qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen.

Ditë më parë, Von Cramon, ka deklaruar se ka marrë përgjigje nga sekretari i shtetit të Gjermanisë në një letër të dërguar në qershor, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përmes postimit në rrjetin social “Twitter”, ajo ka deklaruar se është radha e Komisionit Evropian për t’u përgjigjur, duke pyetur se pse është duke u humbur kaq shumë kohë.

“Mora përgjigje nga sekretari i shtetit Gjermanisë në lidhje me liberalizimin e vizave të Kosovës në letrën time në qershor: Pranohet se disa shtete anëtare nuk ishin të kënaqur dhe tani është radha e Komisionit për t’u përgjigjur. Por pse të humbni më shumë kohë?”, thuhet në postimin e saj në Twitter.

 

Von Cramon: Presidenca gjermane duhet të bëjë më shumë për liberalizimin e vizave për Kosovën