Viola Von Cramon

Von Cramon: Presidenca gjermane duhet të bëjë më shumë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka deklaruar se ka marrë përgjigje nga sekretari i shtetit të Gjermanisë në një letër të dërguar në qershor, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Von Cramon përmes rrjetin social “Twitter” ka deklaruar se është radha e Komisionit Evropian për t’u përgjigjur, duke pyetur se pse është duke u humbur kaq shumë kohë.

“Mora përgjigje nga sekretari i shtetit Gjermanisë në lidhje me liberalizimin e vizave të Kosovës në letrën time në qershor: Pranohet se disa shtete anëtare nuk ishin të kënaqur dhe tani është radha e Komisionit për t’u përgjigjur. Por pse të humbni më shumë kohë?”, thuhet në postimin e saj në Twitter.

Më tej ka thënë se presidenca gjermane duhet të tregojë më shumë lidership lidhur me procesin, pasi siç thotë ajo, Kosova meriton liberalizimin e vizave.

“Në të tri pikat ishin përgjigjur edhe më parë, asgjë nuk ka ndryshuar me të vërtetë! Është vetëm Këshilli që fiton kohë duke përdorur dredha burokratike. Presidenca e Gjermanisë duhet të tregojë më shumë lidership, të largojë dyshimet. Kosova meriton regjim pa viza!”, thuhet më tutje në postimin e raportueses për Kosovën në PE.