Foto: Kuvendi i Kosovës

Von Cramon konfirmon përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka konfirmuar përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, integrimin në familjen e Bashkimit Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

​Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk gëzon liberalizimin e vizave.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për takimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët e kabinetit, me eurodeputeten Von Cramon.

Konjufca thuhet se shprehu mirënjohje për kontributin e eurodeputetes von Cramon si një zë i fuqishëm në PE, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së.

Ai po ashtu theksoi se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara për liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga institucionet e BE-së përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë.

Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor përballë zhvillimeve në Ukrainë ishte një ndër temat e diskutimit në takimin e kryetarit Konjufca me eurodeputeten von Cramon, thuhet tutje në njoftim.

“Në këtë kontekst, Kryetari i Kuvendit tërhoqi vëmendjen se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka dëshmuar rreshtimin përkrah Perëndimit dhe përkushtimin e paluhatshëm ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike”, citohet të ketë thënë ai.

Sipas kryeparlamentarit, anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në BE dhe në NATO do t’i shërbente jo vetëm sigurisë rajonale dhe evropiane por edhe asaj globale, e rrezikuar seriozisht nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.