Ilustrim

Vodhi para në xhami, dënohet me një vit burgim me kusht

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit E. A., i cili dyshohet se kishte vjedhur 300 euro në një xhami dhe në një rast tjetër kishte vjedhur edhe një motoçikletë.

Ai, për veprën penale “Vjedhje e rëndë” është dënuar me burgim me kohëzgjatje prej një viti, në të cilin dënim me burgim do të i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14 qershor 2022 e deri më 14 korrik 2022.

Ndërsa për veprën tjetër penale “Vjedhje” është dënuar me gjobë në shumën prej 300 euro, dhe dënim me kusht ashtu që i vërteton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin ligjor prej 1 viti nëse i akuzuari nuk do të kryen vepër tjetër penale.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari dyshohet se me datën 12 qershor 2022 gjatë periudhës kohore nga ora 13:30 deri në 16:20, në Prizren, në rrugën Tahir Meha, saktësisht në xhaminë “Sinan Qatip”, ia ka marr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit, imamit të xhamisë.

Këtë vjedhje, sipas njoftimit të Gjykatës, ai e kishte kryer duke hyrë brenda në xhami dhe me mjet të përshtatshëm e kishte zhvendosur nga muri kasafortën metalike e cila kishte të holla në shumën prej 300 eurove.

Tutje, Gjykata ka thënë se pas kësaj pa u vërejtur largohet nga vendi i ngjarjes duke e marr kasafortën dhe të hollat.

Për këtë rast, E. A. akuzohet se e ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Gjykata ka thënë se ai, po ashtu dyshohet se më datë 22 maj 2022, rreth ores 01:30 min, në Prizren, në rrugën Brahim Osmanaj, ka vjedhur një motoçikletë të markes “Peda”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i akuzuari në mosprezencë të të dëmtuarit B. K., merr motoçikletën të cilën i dëmtuari e kishte lënë afër banesës së tij dhe pasi që motoçikleta nuk kishte çelës e shtyn deri në rrugën ‘Ibrahim Rugova’.

Pas kësaj, në njoftim Gjykata ka thënë se aty, i akuzuari ndalohet nga policia dhe shoqërohet në stacionin policor me ç’rast të dëmtuarit i shkakton dëm material.

Me këtë rast, E. A., dyshohet se ka kryer veprën penale “vjedhje”.

Sipas njoftimi, Gjykata me aktvendim të veçantë jashtë seance ia ka ndërprerë masën e paraburgimit që nga data 13 korrik 2022.

Tutje është thënë se pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.