16 vjet burg të akuzuarit për vrasjen pas mosmarrëveshjes për veturë

Gjykata në Ferizaj ka shqiptuar dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 16 vjet burg ndaj të akuzuarit me iniciale A. R.,  i cili akuzohet se kishte vrarë të ndjerin B. H. pas një mosmarrëveshje për një veturë.

A. R. akuzohet nga prokuroria se më datë 28 shkurt 2018 në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, përballë një kafeneje në Ferizaj, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B. H.

Ai akuzohet se pas një mosmarrëveshje që kishin lidhur për një veturë, të njëjtit u morën vesh të takohen tek një kafene në Ferizaj, në të cilën janë ulur së bashku rreth një tavoline dhe në lokal kanë qenë F. R. (babai i të pandehurit) A. R.1. dhe A. R.2. (vëllezërit e të pandehurit) D. K., dhe i ndjeri B. H.

Sipas aktakuzës, gjatë bisedës që kishin në mes tyre janë revoltuar dhe ka filluar fyerja reciproke mes tyre dhe pastaj brenda në lokal ka filluar edhe konflikti fizik në mes tyre, ndërsa babai i të pandehurit e nxjerr jashtë tani të ndjerin B…, për ta qetësuar situatën, mirëpo i njëjti e godet babanë e të pandehurit me kokë në pjesën e hundës dhe e rrëzon në tokë.

Në aktakuzë përshkruhet se, i pandehur afrohet tek banaku i lokalit dhe merr revolen të cilën e vendos në brez dhe së bashku me vëllezërit e tij, dalin jashtë lokalit dhe fillon rrahja para lokalit, atëherë B…, fillon të ik në anën e kundërt të magjistrales, kurse te pandehurit vrapojnë pas tij, ndërsa i pandehuri A. R., nxjerr pistoletën nga brezi dhe gjuan dy herë në drejtim të të ndjerit, me ç’rast njëra predhë e godet në pjesën nën gju të këmbës së majtë, kurse predha tjetër në regjionin e shpinës duke tejkaluar në buzën e poshtme të gojës.

Sipas prokurorisë, kur i ndjeri është rrëzuar në skaj të rrugës dhe në gjendje të shtrirë, i pandehuri së bashku me  babanë dhe vëllezërit e tij, fillojnë ta godasin me shqelma në të gjitha pjesët e trupit duke i shkaktuar lëndime trupore, kurse si pasojë e gjakderdhjes i ndjeri B. H., ndërron jetë në vend të ngjarjes.

Gjykata njofton se për këtë vendim të gjykatës palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.