ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Gani Gecin Apeli e gjeti fajtor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Apelit refuzon si të pabazuar ankesën e Gani Gecit, të akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Gjykata e  Apelit ka vendosur kundër ankesës së mbrojtjes së Gani Gecit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila pati dënuar Gani Gecin me 3 vite e 6 muaj burg.

Ish-deputeti Gani Geci akuzohej për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, në njërën nga kafiteritë e Skenderajt në gusht 2014.

Apeli me këtë vendim ka vërtetuar vendimin dënues të Themelores dhe ka hedhur poshtë të gjitha ankesat.

Meqë kundër vendimit të themelores ka paraqitur ankesë edhe Prokuroria dhe pala e dëmtuar, të cilët kanë kërkuar dënim më të lartë e kthim të cilësimit të veprës akuzuese, në vrasje të rëndë dhe jo vrasje në gjendje të tronditjes së fortë.

Në vendimin e Apelit thuhet, se vendimi i ankimuar nuk ka përfshirë shkelje procedurale apo shkelje të tjera.

“Gjykata e Apelit, analizoi aktgjykimin e ankimuar së bashku me shkresat e lëndës, vlerësoi pretendimet ankimore, dhe sipas detyrës zyrtare, gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale”- thotë vendimi i Apelit.

Sipas vendimit, Gani Geci ka qëndruar në paraburgim prej 22 gushtit të 2014 deri 3 qershor 2016, kohë e cila do t`i llogaritet në dënimin e plotë.

Lidhur me ankesat e palëve, Gjykata e Apelit ka mbajtur seancë në shtator të këtij viti.

Gani Geci për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit: Mua shteti ka dështu me më mbrojtë, e kam mbrojtur veten

Gani Geci akuzohej se në gusht të vitit 2014 në ballkonin e kafiterisë “N’Qosh”, e kishte privuar nga jeta, Ruzhdi Shaqirin, me të cilin kishte pasur një konflikt të mëhershëm.

Prokuroria pretendonte se në kohën kur kishte ndodhur vrasja, Geci ishte duke dalë nga kafeteria dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, ndërsa Ruzhdi Shaqiri me 7 persona të tjerë kanë qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathtë të ballkonit.

Sipas aktakuzës, përderisa Geci po dilte nga lokali kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, dhe kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët, e kishte parë Ruzhdi Shaqirin, i cili kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër.

Aktakuza përshkruan se Geci i kishte thënë të ndjerit Shaqiri, “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Sherri përshkruhet se kishte filluar kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gecit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”- thuhet në akuzë.

Siç përshkruhet në aktakuzë derisa Shaqiri ishte duke thënë këto fjalë Geci kishte ngritur dorën e djathtë pas shpine dhe duke u ndjerë i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri e kishte nxjerrë revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Për këto pretendime të prokurorisë, Gani Geci gjatë gjithë kohës ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë, ndërsa për të njëjtën vepër ishte dënuar nga Gjykata e Mitrovicës.

Rasti me vendim të Gjykatës së Apelit ishte kthyer në rigjykim, e tani Apeli ka vendosur si më lartë.

Gani Geci për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit: Mua shteti ka dështu me më mbrojtë, e kam mbrojtur veten