Vlora Çitaku - Foto: KALLXO.com

Vlora Çitaku: Turp të qoftë Nuredin Lushtaku!

Dy zyrtarë policorë janë plagosur mbrëmë rreth mesnatës në Skenderaj, njëri nga ta me armë e tjetri me mjete të forta. Në mesin e të dyshuarve për sulm ndaj policëve është edhe ish-nënkryetari i Skenderajt, dhe ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku.

Të papranueshme një sulm të tillë ndaj policëve e ka quajtur nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku ka qenë e ashpër ndaj ish-bashkëpartiakut të saj – Nuredin Lushtakut.

Ajo ka thënë se ‘banditizma të tilla nuk duhet të normalizohen’, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

“Turp të qoftë Nuredin Lushtaku. Me e sulmu policinë e Kosovës duhet të jetë e papranueshme në çdo rrethanë. Shpresoj që institucionet të reagojnë në zbatim të ligjit. Banditizmat e tilla nuk duhet të normalizohen. Askush mbi ligjin. Pikë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Policia e Kosovës përmes një deklarate ka dhënë detaje mbi sulmin në Skenderaj duke thënë se dy zyrtarët policorë janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderajt, të shtunën rreth mesnatës.

Sipas Policisë, njëri polic është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Forcat e rendit njoftojnë se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësorë.

Ndërkaq, lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

Nuredin Lushtaku për KALLXO.com ka mohuar të ketë përdorur armë ai, djemtë ose vëllezërit e tij në drejtim të zyrtarëve policorë.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.

Pas sulmit ndaj policëve në Skenderaj, reagon Sindikata e Policisë