Gjykimi ndaj Nuredin Lushtakut dhe 2 vëllezërve të tij | Foto: KALLXO.com

Plagosja e policit në Skenderaj, Apeli lë në fuqi aktakuzën ndaj Nuredin Lushtakut dhe vëllezërve të tij

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi aktakuzën kundër Nuredin Lushtakut dhe dy vëllezërve të tij, Faton dhe Arif Lushtaku për rastin e plagosjes së policit në Skenderaj.

Vendimi është marrë më datë 19 tetor, nga kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi me anëtarët Afërdita Bytyqi dhe Ferit Osmani.

Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve Arbër Krasniqi, Agnez Furra dhe Driton Muharremi dhe ka vërtetuar akvendimin e Gjykatës së Prizrenit ku janë refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të mbrojtësve të të pandehurve.

“Gjykata e Apelit gjeti se aktvendimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të tjera që do ta kushtëzonin anulimin e aktvendimit. Gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme kur ka vendosur për refuzimin e kërkesave të mbrojtësve”- thuhet në arsyetim.

Ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, së bashku me dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtaku, po përballen me akuzat e prokurorisë për veprat penale të sulmit, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Prokuroria po pretendon se në korrikun e vitit 2022, të pandehurit kishin sulmuar dy zyrtarë policorë pasi i ishte shqiptuar një gjobë djalit të Nuredin Lushtakut, Arbër Lushtaku.

Incidenti përfundoi me një polic të plagosur me armë zjarri në këmbë derisa tjetri kishte marrë plagë në kokë nga mjeti i fortë.

Në arsyetim e vendimit të Apelit tutje thuhet se aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Mitrovicës përmban të gjitha elementet ligjore që rregullojnë aktakuzën, ndërsa nuk ekzistojnë arsyet për hedhjen e saj.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 17 janar 2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e ngritur më 19 gusht 2022, të akuzuarit Faton Lushtaku, Arif Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku, akuzohen për veprat penale sulm ndaj personit zyrtar, armëmbajtje pa leje dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Sipas Prokurorisë më 2 korrik 2022 në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, të pandehurit, së bashku kanë sulmuar personat zyrtarë, policët Enver Berisha dhe Mërgim Geci, të cilët gjatë kryerjes se detyrës se tyre zyrtare, duke zbatuar kontrollin rutinë, kishin ndalë në komunikacion dëshmitarin Arbër Lushtaku, i cili ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “Golf VII” dhe i kanë shqiptuar një tiketë për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit- mosvënies së rripit të sigurisë.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirrë në telefon prindin e tij Nuredin Lushtaku, i cili menjëherë vjen me automjetin e tij së bashku me dy vëllezërit e tij Faton e Arif Lushtaku, ku i pandehuri Nuredin Lushtaku kishte filluar të fjaloset me zyrtarin policor Enver Berisha.

Pas konflikti verbal Nuredini, Fatoni dhe Arifi sipa Prokurorisë iu kishin vërsulur të dëmtuarit Enver dhe me dorezë të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar, e kishin goditur të dëmtuarin Enver Berisha në kokë, i cili nga goditjet ishte përkulur për tokë, dhe të pandehurit i janë hedhur sipër mbi trup, duke e goditur me grushta dhe duke tentuar t’ia heqin armën nga dora, ku në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës, nga e cila ishte goditur i dëmtuari – polici Mërgim Geci në këmbën e djathtë tek nyja e gishtit të madh.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Enver Berisha kishte pësuar, gërvishtje lëkurore të gishtit të tretë të shuplakës së dorës së majtë, gjakderdhje nënlëkurore në regjionin muror të anës së djathtë të kokës, plagë qarëse, shqyrëse, ndërsa te i dëmtuari Mërgim Geci ishin shkaktuar lëndime trupore në regjionin e gishtit të madh të shputës se këmbës se djathtë, me thyerje të shumëfishtë të kockës se shputës së gishtit të parë të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës se hedhur nga arma e zjarrit, e që bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Për këto veprime, të akuzuarit Lushtaku po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

Gjithashtu, të akuzuarit Lushtaku po ngarkohen se kanë mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët – Ligjin 05/L-22 të Republikës së Kosovës, e për këtë ata po ngarkohen se kanë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, në bashkim real me veprën penale në pikë I të dispozitivit.

Aktakuza e Prokurorisë, të akuzuarit Lushtaku i ngarkon edhe me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për shkak së të njëjtit më 2 korrik 2022, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armë në kundërshtim të ligjit të zbatueshëm mbi armët, ashtu që me kondak të armës e kanë goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore.

Në shqyrtimin fillestar, Nuredin e Faton Lushtaku u deklaruan të pafajshëm për pikat e akuzës.

Ndërkaq, Arif Lushtaku ka pranuar fajësinë vetëm për veprën penale mbajtje në pronësi ose kontroll të armës.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.