Vjosa Osmani në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Rreziku për copëtim është evident, Kosovës i duhet Lidhje e re

Me rastin e 142 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se përvjetori i kësaj date është sërish thirrje dhe ftesë për rizgjim kombëtar.

Me anë të një postimi në Facebook këtë përvjetor  ajo e ka cilësuar si datë me dy ngjarje dhe një histori, dhe se nevoja për Lidhjen për shtetin është  urgjencë kombëtare.

“Ne, Shqiptarët, nuk jemi imigrantë, por banorët e hershëm të këtij vendi; ne kemi qenë të lirë e të pavarur disa shekuj më parë dhe ne mund të pretendojmë me plot fjalën të drejtën për të krijuar një Shtet”, shkruan Osmani.

Sipas Osmanit, projektet shtetërore të rrezikuara riaktualizojnë kërkesat e Lidhjes për mobilizim për shtetin e kombin. Dhe se ato riaktualizojnë nevojën për kohezion shoqëror dhe unitet kundrejt zhvillimeve me të cilat përballet shteti i Kosovës.

“Në një kohë kur rreziku i copëtimit të territorit është evident, vetëm qëndrimi unik e bën Kosovën të pacenueshme. Ndaj, na duhet një Lidhje e re për shtetin e Kosovës, në mënyrë që nesër ky vend të jetë strehë e sigurt ku jetojnë dinjitetshëm të gjithë qytetarët pa dallim” shkruan Osmani.

Kryeparlamentarja rikujton 21 vjet më parë kur  sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, urdhëroi  ndaljen e bombardimive mbi caqet e ushtrisë jugosllave e policisë serbe pas kapitullimit të Millosheviqit, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së,miratoi dërgimin e ushtarëve të KFOR-it nga 36 shtete.

“21 vjet më pas ëndrra për lirinë ka marrë kuptim, por ëndrra për shtetin ku sundon e drejta vazhdon. Ndaj sot, nevoja për forcimin e shtetit nëpërmjet rendit e ligjit është domosdoshmëri! Liria është koncept universal, teksa nevoja për Lidhjen për shtetin urgjencë kombëtare!” shkruan ndër të tjerash Osmani.