Vjosa Osmani i dërgon shkresë Komisionit për Media për përzgjedhjen e Drejtorit të RTK-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës i ka dërguar sot një shkresë Komisionit për Media me përfaqësues Mërgim Lushtakun për përzgjedhjen e drejtorit gjeneral të transmetuesit publik, Ngadhnjim Kastratit.

Osmani këtë shkresë e ka adresuar tek Komisioni për Media, pasi që Sindikata e RTK-së ka kërkuar nga Kuvendi që të bëjë interpretim ligjor të procesit të përzgjedhjes së Ngadhnjim Kastratit, drejtor të RTK-së.

“Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës më datën 29 shtator ka dorëzuar një shkresë në zyrën time përmes së cilës konteston ligjshmërinë e procesit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së” thuhet në shkresën e Osmanit.

Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur më 19 prill 2019 drejtor i RTK-së, me gjashtë vota pro nga shtatë anëtarë që kishin votuar, ndërsa Bordi i RTK-së duhet t’i ketë gjithsej 11 anëtarë, por katër anëtarë në atë kohë nuk ishin votuar nga Kuvendi i Kosovës. Kastrati ka mandat deri më 29 prill 2022.

“Sindikata kërkon nga Themeluesi i Transmetuesit të vetëm Publik në vendin tonë, Kuvendi i Kosovës, konkretisht nga Zyra e Kuvendit që ta bëj një interpretim ligjor të procesit të përzgjedhjes së drejtorit gjeneral të RTK-së” thuhet në shkresën e  Sindikatës drejtuar Osmanit.

Më 2019, Avdullah Hoti që tani është kryeministër, e kishte cilësuar joligjor procesin e emërimit të drejtorit të përgjithshëm dhe kishte thënë se LDK-ja nuk do të lejojë të nëpërkëmbet RTK-ja për interesa individuale.

“Sot u takuam me përfaqësuesit e Sindikatës së RTK-së. Diskutuam çështje jetike për funksionimin e  RTK-së që kërkojnë veprime të menjëhershme nga Kuvendi i ri, si bordi jofunksional, procesi joligjor i emërimit të drejtorit të përgjithshëm, kalkulimi i pasaktë i borxheve të RTK-së, çështja e pronës dhe objektit të RTK-së etj. RTK është institucion publik që financohet nga qytetarët e Kosovës dhe duhet të ju shërbejë atyre dhe vetëm atyre. Si tillë LDK nuk do të lejojë që RTK- ja të nëpërkëmbet për interesa individuale të askujt” kishte shkruar Hoti në Facebook më 12 nëntor 2019.

Neni 32, paragrafi 3 i Ligjit për RTK-në e përcakton se drejtori i përgjithshëm i RTK-së emërohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Për këtë çështje ishte hapur rasti edhe tek Avokati i Popullit.