
Kastrati: Auditorja e Përgjithshme nuk e ka publikuar raportin e vitit 2018 për RTK-në
Ish-drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk e ka publikuar raportin e auditimit të vitit 2018 me rekomandimet që është dashur që të plotësohen nga RTK-ja.
Kastrati ka thënë se është takuar me Spancën në vitin 2019 dhe kanë diskutuar për raportin i cili sipas tij nuk është bërë asnjëherë publik.
“Nuk e ka publikuar raportin e auditimit të vitit 2018 që është në zyrat e auditimit që t’i shohim cilat janë ato rekomandime që është dashur të plotësohen nga RTK-ja. Pra zonja Spanca ka qenë në takim me mua në vitin 2019, ditën që e kam marrë mandatin, kemi diskutuar për raportin por nuk është bërë asnjëherë publik”, ka thënë Kastrati.
I pyetur nëse e di arsyen pse nuk është publikuar ky raport, Kastrati ka thënë se nuk ka marrë përgjigje.
“Nuk kemi pasur një përgjigje të saktë pse nuk është publikuar ai raport, por ekziston ai raport. Spanca ka qenë zëvendësauditore, unë e kam marrë mandatin më 30 prill dhe më 1 apo 2 ka qenë në zyrën time. Kemi diskutuar për raportin që e kanë përgatitur e nuk është publikuar”, ka thënë Kastrati.
Ai tutje ka thënë se ketë raport e posedon por nuk ka të drejtë ta publikojë.
“Në email e kam, dhe ai është draft-raport të cilin nuk kam të drejtë me e publiku. Shkruan në çdo vend që është jo për publikim”, ka thënë ish-drejtori i RTK-së.
Kastrati në atë kohë pati thënë se nuk ka qenë i informuar për procedurë të shkarkimit dhe as nuk ka pasur në rend dite pikë për shkarkimin e tij.
Ngadhnjim Kastrati ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së në prill 2019.
Mandati i Kastratit do të skadonte në prill të këtij viti.
Drejtorin e përgjithshëm të RTK-së e emëron bordi i RTK-së në bazë të ligjit dhe sipas procedurave të caktuara, të parapara me konkurs publik. Drejtori i përgjithshëm i RTK-se emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të bordit.
Bordi i RTK-së duhet të ketë 11 anëtarë por në kohën e zgjedhjes së Kastratit, i ka pasur vetëm 7 anëtarë. Të njëjtit kanë qenë edhe pjesë e komisionit për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm.
Në konkursin ku ishte përzgjedhur Kastrati, kishin aplikuar 9 kandidatë dhe pas testimit me shkrim ishin përzgjedhur 7 kandidatë për intervistë. Nga këta 7 kandidatë janë përzgjedhur dy kandidatë të cilët i janë nënshtruar procesit të votimit nga anëtarët e bordit të RTK-së.
Në votim Kastrati kishte marrë gjashtë vota pro dhe një votë kundër. Sipas Ligjit të RTK-së, bordi në RTK përbëhet nga 11 anëtarë dhe për të emëruar apo shkarkuar drejtorin e përgjithshëm duhen 2/3 e votave të anëtarëve të bordit.