RTK - Foto: Atdhe Mulla

Sindikata takon Avokatin e Popullit, hapet rast për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së

Sindikata e Pavarur e RTK-së është takuar sot me Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari, për të diskutuar për vendimin e bordit të RTK-së për zgjedhjen e drejtorit gjeneral të transmetuesit publik.

Sindikata pretendon se bordi e ka zgjedhur Ngadhnjim Kastratin në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së pa i siguruar 2/3 e votave.

Fadil Hoxha, kryetar i kësaj sindikate, në takimin me Jasharin, ka kërkuar që ky institucion ta thotë fjalën e tyre në lidhje me zgjedhjen e drejtorit të RTK-së, proces të cilin Hoxha e ka quajtur të kundërligjshëm.

“Gjithashtu përfaqësuesit sindikalë e informuan Jasharin për mosgatishmërinë e Bordit të RTK-së për t’i lejuar sindikatës qasje në dokumentet publike, konkretisht për të pasur në dispozicion një kopje të vendimit të Bordit për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së. Me këtë veprim Bordi i RTK-së po e pengon qëllimshëm realizimin e së drejtës për qasje në dokumentet publike”, thuhet në njoftimin e SPRTK-së.

Ndërsa Avokati i Popullit ka bërë të ditur se institucioni që ai e drejton e ka hapur këtë rast dhe do ta trajtojë konform obligimeve ligjore.

Takimi në mes të përfaqësuesve të Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Avokatit të Popullit është mbajtur me dyer të mbyllura.

Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur më 19 prill drejtor i RTK-së, me gjashtë vota pro nga shtatë anëtarë që kishin votuar, ndërsa Bordi i RTK-së duhet t’i ketë gjithsej 11 anëtarë, por katër prej tyre nuk janë votuar ende nga Kuvendi i Kosovës.

https://kallxo.com/bordi-i-rtk-se-votoi-per-drejtorin-e-pergjithshem-epilogu-i-paqarte/

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!