Reagon ZKA pas deklaratës së Ngadhnjim Kastratit në ‘Kallxo Pernime’

Në emisionin e mbrëmshëm në “Kallxo Pernime”, ish-drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati ka thënë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk e ka publikuar raportin e auditimit të vitit 2018 me rekomandimet që është dashur që të plotësohen nga RTK-ja.

Për këtë deklaratë, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes një komunikate për media kanë sqaruar deklaratat e Kastratit.

Sipas ZKA-së, në vitin 2019, Vlora Spanca mbante pozitën e Ndihmës Auditores së Përgjithshme dhe jo atë të Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm.

Po ashtu, ZKA ka thënë se auditimi i performancës për RTK-në me titull “Menaxhimi i Fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës – Pjesa e parë – Procesi i planifikimit dhe raportimit buxhetor” është hartuar dhe dërguar tek Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës për komente në Prill të vitit 2019.

“Komentet e Menaxhmentit të RTK-së janë pranuar dhe diskutuar me subjektin e audituar. Sipas Kornizës ligjore dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit përgjegjësitë për miratimin e raportit final të Auditimit dhe publikimin e tij i takojnë Auditorit të Përgjithshëm”, thuhet në sqarimin e ZKA-së.

Tutje thuhet se ish-Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, ka vendosur që ky raport të mos publikohet.

“Sipas nenit 4, paragrafit 3, të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit 05/L-055, Auditori i Përgjithshëm ka diskrecion të plotë nëse duhet apo nuk duhet të kryhet një auditim i caktuar; mënyrës si duhet të bëhet një auditim i caktuar; ose përparësisë që i duhet dhënë ndonjë çështje të caktuar, mbi këtë bazë ne nuk i komentojmë vendimet e ish Auditorit të Përgjithshëm”, është thënë nga ZKA.

Në këtë sqarim, zyra e auditimit ka thëne se me marrjen e mandatit Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka përfshirë në Planin Vjetor të Punës për sezonin audituese 2021/2022, edhe dy auditime për RTK-në.

“Raportet e auditimit “Raporti i  Auditimit të  Pasqyrave Vjetore Financiare për  Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për vitin 2021” dhe “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës” janë të përfunduara dhe janë publike në uebfaqen e ZKA-së”, thuhet në reagimin e ZKA-së.

Tutje është shtuar se këto auditime kanë identifikuar mangësi thelbësore lidhur me raportimin financiar si dhe në menaxhimin e fondeve publike të dedikuara për burimet njerëzore dhe programet vendore në RTK dhe jepen rekomandime të qarta për Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së me qëllim të përmirësimit të menaxhimit dhe performancës së këtij institucioni.

“Po ashtu, konfirmojmë se kemi pranuar ftesën nga Kallxo.com për të marrë pjesë në emision, por për shkak të volumit të madh të punës në finalizimin e auditimeve kjo ishte e pamundur. Gjithashtu vlerësojmë korrektësinë e gazetarëve në komunikim me ZKA-në lidhur me deklaratat në këtë emision”, thuhet ndër të tjera në komunikat.

Në anën tjetër, në emisionin “Kallxo Pernimë”, Kastrati ka thënë se është takuar me Spancën në vitin 2019 dhe kanë diskutuar për raportin i cili sipas tij nuk është bërë asnjëherë publik.

“Nuk e ka publikuar raportin e auditimit të vitit 2018 që është në zyrat e auditimit që t’i shohim cilat janë ato rekomandime që është dashur të plotësohen nga RTK-ja. Pra zonja Spanca ka qenë në takim me mua në vitin 2019, ditën që e kam marrë mandatin, kemi diskutuar për raportin por nuk është bërë asnjëherë publik”, ka thënë Kastrati.

I pyetur nëse e di arsyen pse nuk është publikuar ky raport, Kastrati ka thënë se nuk ka marrë përgjigje.

“Nuk kemi pasur një përgjigje të saktë pse nuk është publikuar ai raport, por ekziston ai raport. Spanca ka qenë zëvendësauditore, unë e kam marrë mandatin më 30 prill dhe më 1 apo 2 ka qenë në zyrën time. Kemi diskutuar për raportin që e kanë përgatitur e nuk është publikuar”, ka thënë Kastrati.

Ai tutje ka thënë se ketë raport e posedon por nuk ka të drejtë ta publikojë.

“Në email e kam, dhe ai është draft-raport të cilin nuk kam të drejtë me e publiku. Shkruan në çdo vend që është jo për publikim”, ka thënë ish-drejtori i RTK-së.

Kastrati: Auditorja e Përgjithshme nuk e ka publikuar raportin e vitit 2018 për RTK-në