Ish-drejtori i RTK-së komenton punësimet e dhëndrit të kryetarit të bordit dhe të djalit dhe të resë së Gani Thaçit

Ish-drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në RTK.

Kastrati ka folur për punësimin e Liridon Konushefcit, burrit të vajzës së ish-kryetarit të bordit të RTK-së, Sali Bashota.

KALLXO.com më 30 mars 2021 ka raportuar për punësimin e Liridon Konushefcit si mirëmbajtës në RTK.

Konushefci, dhëndri, apo burri i vajzës së kryetarit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Sali Bashota, është punësuar si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.

Në vendimin të cilin e ka marrë menaxhmenti i RTK-së më 27 korrik 2020, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Liridon Konushefci ka nënshkruar kontratë për shërbime në cilësinë e mirëmbajtësit – shtëpiakut në një kohëzgjatje prej 5 muajve, prej 1 gushtit 2020  deri më 31 dhjetor 2020.

Ish-drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, tha se Konushefci u rekomandua për t’u punësuar në RTK.

“E ka rekomanduar shefi i tij, e ka bërë kërkesën që ka nevojë për një punëtor, edhe e ka gjetur dhe nuk e di si e ka gjetur”, u shpreh ai.

Kastrati tha se nuk ka qenë në dijeni që Konushefci është dhëndri kryetarit të bordit të RTK-së, Sali Bashota.

“Jo, nuk e kam ditë, nuk mundem me ditë. Si veti kush çka e ka se është e pamundur secili për 1,000 punëtorë kush është e çka është”, ka thënë Kastrati.

Tutje Kastrati ka komentuar edhe punësimin në RTK të djalit dhe të resë të Gani Thaçit, vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Festina Cakolli ka qenë e punësuar, ka qenë e rregullt me konkurs më 2018 ose 2017,, ndërsa Leotrim Thaçi zyra ligjore e ka bërë një kërkesë. RTK ka paguar më herët për të drejta autoriale dhe kemi angazhuar një ekspert. I njëjti është angazhuar tre muaj dhe është paguar”, ka thënë Kastrati.

Një hulumtim i KALLXO.com, në prill të vitit kaluar ka zbuluar se në RTK janë punësuar djali, e reja dhe vëllai i së resë së Gani Thaçit.

Leotrim Thaçi është angazhuar me kontratë mbi vepër si menaxher i Njësisë për të Drejtat Autoriale në RTK. Leotrim Thaçi është djali i Gani Thaçit.

Në RTK është e punësuar edhe Festina Cakolli, gruaja e Leotrim Thaçit, pra e reja e Gani Thaçit. Ajo është punësuar në Departamentin e Marketingut. Ndërsa, vëllai i Festinës, Arbër Cakolli, është punësuar si kameraman.

Dhëndri i kryetarit të Bordit punësohet në RTK

Djali dhe reja e Gani Thaçit punësohen në RTK