Vjosa Osmani fton për debat rivalët për kryeministër

Kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani një prononcim të shkurtë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, tha se u ka bërë tashmë thirrje kandidatëve për kryeministër që të dalin në përballje me të.

Në historinë e fushatave zgjedhore në Kosovë, asnjëherë nuk është mbajtur debat televiziv publik mes kandidatëve për kryeministër.

Mirëpo, këtë akull po provon ta thyejë kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com, tha se i ka bërë thirrje për debat kundër kandidatëve.

“Unë u kam bërë thirrje kundër kandidatëve për të ardhë në debat. E kam thënë në fjalimin tim në Prizren”, tha shkurtimisht Osmani për KALLXO.com.

Në zgjedhjet e kaluara, paraardhësi i Osmanit, Avdullah Hoti kishte refuzuar të vinte në DebatPernime. Ai madje nuk kishte dhënë as intervistë.

Nuk dihet nëse kundër kandidatët e Osmanit do të pranojnë të përballen në debat.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor.