Shkolla Fillore E Mesme e Ulët "Ismail Qemali". Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Viti i ekranit dhe mësimit të lënë në gjysmë

Në një situatë krejtësisht të re, sistemi edhe ashtu i brishtë arsimor në Kosovë u desh të përshtatet në disa forma eksperimentale për të arritur të mbajë nxënësit në rrjedhat e mësimit në vitin pandemik.

Brenda rreth 8 muajve, shkollat në Kosovë kaluan nga mbyllja totale, në mësim nga distanca, mësim online e deri te rikthimi në klasa me rregulla strikte anti-COVID.

Nxënësit, prindërit dhe disa mësimdhënës janë ende në ankth lidhur me atë se si do të zhvillohet vazhdimi i vitit shkollor, pasi u vendos se do të përdoret sërish metoda e kombinuar online dhe fizikisht.

Sipas një raporti të Bankës Botërore pasojat e pandemisë COVID-19 do të kenë ndikim të madh në sektorin e arsimit, ku kjo do të kontribuojë që hendeku i problemeve aktuale në këtë sektor të rritet.

Ekspertët po ashtu vlerësojnë se pasojat e një viti të parregullt mësimi do të ndihen gjatë brenda sistemit arsimor të Kosovës.

Shkolla “Selami Hallaqi”, Gjilan.
FOTO-Facebook

Ndikimi i pandemisë në mësim dhe sfidat për prindërit

Dafina Krasniqi, prind i dy fëmijëve thotë se që fëmijët e saj t’i qasen mësimit online, ajo është dashur të ndryshoj orarin e punës.

“Unë është dashur të punoj deri në mbrëmje vetëm që paradite të jem me fëmijët, t’u asistoj në takimet në “Zoom” që kishin me mësueset e tyre”, thotë ajo.

Krasniqi thekson se ajo edhe kur ishte në punë kishte stres nga fëmijët për zhvillimin e mësimit në distancë.

“Pak më vonë kur kisha përshtypjen që fëmijët ua morën dorën përdorimit të platformave online të mësimit i leja te punojnë të pavarur,  por prapëseprapë gjate ditës në pune merrja telefonata nga ta për shqetësime si: u ndal zoom, më nxori rrjeti, pajisja nuk po funksionon etj, që kanë qenë vërtetë një stres që dashtë zoti të kalojë sa më parë”, shton ajo.

Edhe Albana Bajrami, nënë e tre fëmijëve e që me profesion është gazetare thotë se fëmijët e saj i ka lënë në shtëpi vetëm dhe fëmijët e saj kanë mësuar në këtë kohë vetë.

“Dy fëmijë i kam në shkollë, ndërsa të voglën në kopsht. Tre fëmijët më duhej t’i lija në shtëpi vetëm, për të shkuar në punë, sepse ne gazetarët kemi punuar pa pushim. Ata nuk e dinin se çfarë i priste në mësimin online, por megjithatë e filluan dhe u mësuan me këtë pjesë. Vështirësitë ishin të vazhdueshme”, shprehet ajo.

Ajo thekson se është dashur të siguroj pajisje me mjete vetanake në mënyrë që fëmijët e saj të ndjekin mësimin nga distanca.

“Unë dhe bashkëshorti nuk mund t’i jepnim telefonat tanë, pasi ne ishim në punë tërë ditës dhe fëmijët në shtëpi është dashur të hyjnë në mësim online. Prandaj edhe na u desh të marrim pajisje shtesë. Normalisht që pajisjet teknologjike kushtojnë, dhe jo të gjithë i kanë pasur mundësitë”, shton Bajrami.

Ndërsa për Shukrije Kurtin, po ashtu nënëi dy fëmijëve dhe psikologe klinike, thotë se sfida më e madhe në kohën e mësimit online ishte që nuk ka pasur orar të caktuar.

“Sfida më e madhë në mësim online atëhkohë ka qenë që nuk e kanë pasur orarin e caktuar, sepse jo gjithëherë janë kycur në orarin e njëjtë arsimtarët, pra orare të ndryshme dhe fëmija tërë kohën është dashur të ndejë me telefon në dorë ose para kompjuterin, pra gjithmonë me qenë aktiv”, thotë ajo.

Se viti shkollor 2019/20 që ishte kryesisht online ishte i vështirë e thotë edhe mësimdhënësja, Visare Tara nga Prishtina.

“Vështirësia ime më e madhe ka qenë kur unë kam dalur pozitive edhe kam mbajtur mësimin online ashtu, vetëm mos mi lënë mbrapa nxënësit edhe pse e kanë pasur e-mësimin që absolut ka qenë mbrapa asaj që ne kemi shpjegu, por prapë online unë hiq s’jam përshtat”, thekson ajo më tej.

Mësimi nga distanca ishte domosdoshmëri pas situatës së krijuar me pandeminë e coronavirusit dhe Ministrisë së Arsimit, i’u deshën një javë përgatitje për të filluar publikimin e materialeve mësimore prej klasës së parë deri të pestën për t’u transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës dhe në internet për vitin shkollor 2019/20.

Kurse, dy javë për materialet për klasën e gjashtë deri të nëntën dhe për komunitetin turk dhe boshnjak, ndërsa ai serb nuk ka pranuar të bashkëpunojë në sistemin e shtetit të Kosovës. KALLXO.com kishte asistuar vullnetarisht në përgatitjen e mësimit nga distanca.

Pas zhvillimit të mësimit, ishte bërë edhe një udhëzues për vlerësimin e nxënësve nga distanca, ku fëmijët janë vlerësuar nga mësimdhënësit në forma të ndryshme.

Ministri i ri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në një raportim në Komisionin për Arsim, kishte thënë se në mësimin online kanë qenë pjesëmarrës 89.4 për qind e nxënësve, ngase, siç tha ai, disa nxënës nuk kanë pasur pajisje teknologjike.

Viti shkollor 2019/20 që filloi në banka dhe përfundoi në ekrane, ka përfunduar me 26 qershor, por situata me pandeminë COVID-19, nuk kishte ndryshuar.

Viti që filloi më vonë dhe u la në gjysmë

“Ky vit shkollor vërtetë ka qenë i vështirë, pasi ne si prindër jemi ballafaquar me situata që nuk jemi provuar më parë. Ishte vit sfidues për ne”, thotë më tej Albana Bajrami

Ky viti shkollor kishte filluar më 14 shtator në dy faza dhe për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte përgatitur tre skenarë të ndryshëm. Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Para se të fillonte mësimi, Ministria ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës etj.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, kishte marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Kurse, në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Se ky vit shkollor ka qenë sfidë në vete e thotë edhe nëna, Dafina Krasniqi.

“Ky vit shkollor, por edhe gjysma e atij që lamë pas është viti me i vështirë që kam hasur si prind që kur i kam fëmijët në shkollë, madje as klasa e parë e tyre që konsiderohet të jetë një vit vërtetë i vështirë për një prind përderisa fëmija i tij përballet për herë të parë me plan-programe mësimore e vlerësime nuk ka qenëe me i rëndë. Frika për shëndetin e tyre, frika për mësim nxënien, e situatën përreth kanë bërë që këto rrethana gjatë t’i mbajmë mend për të keq”, shton ajo.

Në anën tjetër, Shukrije Kurti po ashtu thekson se orari i shkurtuar në vitin shkollor 2020/21 ka ndikuar mjaft keq tek djali i saj 14-vjeçar.

“Drejtën më të thënë më shumë është dashur të përgatitemi na me fëmijët se sa në shkollë, s’kanë pas mundësi sepse orari i shkurtuar. Djali im është 14-vjecar, në klasën e 9-të, ska pasur mundësi me mbajt orarin e plotë të mësimit dhe ka qenë një sfidë që është dashur ne prindëritë të ballafaqohemi, s’ka pas mundësi me u zhvillu një proces i rregullt mësimor”, shton ajo.

Sipas saj edhe komunikimi me kujdestarin e klasës nuk ka qenë i rregullt.

“Kemi pasur shumë pak komunikim me mësimdhënësitë për shkak se mbledhjet shpesh herë kanë qenë të pamundura me u mbajtë, secili është dashur individualisht me bisedu me ta dhe për ta ka qenë sfidë me bisedu me neve vec-vec”, shton Kurti.

Mës sfidës së infektimit dhe përhapjes së COVID-19 janë ballafaquar edhe mësimdhënësit.

Për mësimdhënësen e shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë, Visare Tara, sfidë ka qenë zhvillimi i mësimit në grupe.

“Ky vit ka qenë boll i vështirë, sidomos sfidë ka qenë ndarja në dy grupe, pastaj orari I shkurt, me një masë që nuk dëgjohesh mirë kur spjegon, pastaj mbet mësimi në gjysmë prej asaj që jemi mësuar ta spjegojmë. Gjithçka ka mbetur në gjysmë për mu, unë mendoj ashtu që ka mbetur në gjysmë cdo njësi mësimore që e kemi spjegu, cdo temë që e kemi zhvillu gjithmonë më është dashtë vetëm thelbësor me spjegu, jo si zakonisht”, thotë sjo.

Ajo thekson se edhe angazhimi i prindërve nuk ka qenë maksimal për shkak të situatës me pandeminë, COVID-19.

“Këtë vit edhe prindërit e kanë lënë edhe ata vetë jo angazhjimin qysh e kanë pas më herët për shkak që pandemia edhe psiqikisht gjithë kemi qenë si të traumatizuar në këtë aspekt edhe vetëm fëmija vet kush ka pas qejf ka punu, prindt normal janë angazhuar por jo si herave të tjera. Ka pasur edhe mungesë të entuziasmit tek disa fëmijë për të ardhur në shkollë, jo tek të gjithë por tek disa po”, thotë më tej Tara.

Edhe mësimdhënësja tjetër, Xhevahire Musa në shkollën fillore “Jeta e Re’’ në Greme të Ferizajt thotë se sfida më e madhe ka qenë ndarja e nxënësve në grupe.

“NE i kemi pasur ka 25 nxënësa, kemi mbajt orën 30 minuta, 30 me njërin grup, 30 me grupin tjetër. Distancën edhe masat e tjera i kemi respektu plotësisht, secili nxënës e ka pasur nga një bankë, e ka pasur maskën dhe pushim s’kanë dalur hiq, por sfida më e madhe ka qenë kjo ndarja në grupe”, thotë me tej Musa.

Sipas Musës, sfidë ka qenë edhe ruajtja për mos infektim nga kolegët dhe nxënësit.

“Prindërit kanë qenë të angazhuar vetëm në mënyrë virtuale sepse s’kemi pranuar asnjë prind në shkollë, rrallë ndonjë për bisedë. Ka pasur angazhim të tyre maksimal dhe mjaftë i mirë por sfidë ka qenë edhe të ruhemi për mos infektim nga kolegët e po ashtu edhe nga nxënësitë”, shtoi ajo.

Si do të zhvillohet mësimi në gjysmëvjetorin e dytë?

Megjithatë, edhe pse gjysmëvjetori i parë i viti shkollor 2020/21 ka përfunduar, situata me pandeminë COVID-19 është në situatë të njejtë dhe Kosova ende nuk ka siguruar vaksinat kundër këtij virusi.

Ndërsa, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka planifikuar që të organizojë zhvillimin e mësimit në gjysmëvjetorin e dytë ndryshe nga ai i gjysmëvjetorit të parë.

Nxënësit e Kosovës do të vazhdojnë të ndjekin mësimet e tyre sipas skenarëve të përcaktuara nga ana e MASh.

Nga zyra për media e ministrisë kanë bërë të ditur se deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, Ministria e Arsimit ka paraparë që edhe gjysmë vjetori i dytë të organizohet sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokollit të reagimit ndaj COVID-19.

“Koha e pushimit do të shfrytëzohet për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave, ndërkaq MASh do ti përkrah  shkollat në përgatitje dhe ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit në shkolla. Gjithashtu MASh nga burimet e veta financiare dhe donator të ndryshëm është duke pajisur në vazhdimësi nxënësit dhe mësimdhënësit me pajisje teknologjike të cilat ndihmojnë akoma më shumë në organizimin e mësimit në rrethanat me pandeminë”, kanë bërë të ditur më tej për KALLXO.com.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në konferencën e fundvitit.

Ndikimi i pandemisë në arsim

Në anën tjetër, sipas një raporti të Bankës Botërore pasojat e pandemisë COVID-19 do të kenë ndikim të madh në sektorin e arsimit, ku kjo do të kontribuojë që hendeku i problemeve aktuale në këtë sektor të rritet.

Tutje në raport është theksuar se përqindja e personave në Ballkanin Perëndimor që nuk e zotërojnë nivelin elementar në lexim mund rritet nga 53 përqind në 61 përqind.

Sipas Bankës Botërore, pandemia mund të ndikojë që një përqindje më e madhe nxënësish të kthehen në analfabetë funksionalë dhe ta braktisin shkollimin në përgjithësi, pavarësisht se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ofruar mësim nga distanca.

“Vlerësimet sugjerojnë që nxënësit nën aftësi themelore në lexim mund të rriten nga 53 përqind në 61 përqindja. Tronditjet nga pandemia e COVID-19 do të ndikojnë edhe në sistemin e arsimit, ku do të ketë ndikim negativ si afat shkurte por edhe afatgjate. Fitmet ekonomike mund të dobësohen, rritja e kapitalit njerëzor mund të bjerë ose të mbetet në ngërç dhe zbrazëtirat aktuale në arsim do të zgjerohen”, thuhet në raport.

Kurse, sipas eksperti të arsimit dhe drejtorit të Institutit EdGuard, Rinor Qehaja ndikimi i pandemisë në cilësi të mësimdhënies dhe mësim nxënies është shumë evident.

“Ky ndikim do të bartet tutje për vite me radhë, dhe atë jo vetëm si performancë jo e mirë akademike. Periudha e nxënësve jashtë shkollës thelloi tutje ngecjen që tashme kishim në sistemin tonë arsimor – neve mungojmë shumë në cilësi si neglizhencës dhe përkushtimit të institucioneve për një arsim më të mirë, kjo, pastaj u sipër shfaq edhe gjate pandemisë”, thotë ai.

Sipas tij, mësimdhënia jo efektive, e shpërqendruar mes skenarëve të ndryshëm, është bart tutje si jo cilësi edhe në mësim nxënie.

“Histeria e krijuar rreth pandemisë dhe jo informimi i hapur i institucioneve me komunitetin e shkollës për rrezikun dhe nivelin e shpërndarjes së pandemisë në shkollë, shkaktoi një situate paqartësie dhe frike tek komuniteti, që pastaj u bart tutje si anashkalim në sigurim të cilësisë në mësimdhënies – gjë që veç ishte e cunguar për vite me radhë”, thekson Qehaja.