Likaj: Rreth 32 mijë nxënës s’janë përfshirë në mësimin nga distanca

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka raportuar sot në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në lidhje me organizimin e mësimit nga distanca gjatë pandemisë, COVID-19.

Likaj në këtë komision tha se në mësimin online kanë qenë pjesëmarrës 89.4 për qind e nxënësve, ngase, siç tha ai, disa nxënës nuk kanë pasur pajisje teknologjike.

“Rreth 32 mijë nxënës nuk janë përfshirë në mësimin online nga distanca, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike”, tha ministri Likaj.

Sipas një njoftimi për media nga Kuvendi, Likaj në vazhdim sqaroi se MAShTI-i ka përgatitur 7 udhëzues për mësimin në distancë, ndërkaq, sipas tij, më vonë planifikohet edhe për mësimin gjithëpërfshirës dhe fëmijët me nevoja të veçanta.

Po ashtu, Likaj vuri në pah edhe çështjen se MAShTI-i nuk e ka specifikuar kurrikulën dhe se nuk ka dhënë udhëzime se si të shtjellohen lëndët mësimore.

Në fund, ministri foli edhe për mbajtjen e testit të arritshmërisë dhe atë të testit të maturës.

Anëtarët e komisionit gjatë takimit shtruan pyetje dhe shprehen një varg shqetësimesh, lidhur me mbajtjen e mësimit në distancë.

Sipas tyre, është shfaqur problemi me tekstet shkollore të cilat nuk kanë qenë të lidhura me programin.

Më tej, u kërkua që të bëhet inspektim gjatë mbajtjes së mësimit të klasave të nënta, duke siguruar gjithashtu edhe pajisje mbrojtëse.

Ndërkaq, shqetësuese u paraqit mos përfshirja e numrit të madh të nxënësve në mësimin online, si dhe u shtrua pyetja nëse ministria ka plan konkret për mësimin online dhe arritshmërinë e nxënësve.

Mësim online në Kosovë është mbajtur të gjitha nivelet e arsimit, ku për nivelin 1-9 MAShTI ka përgatitur video-ligjërata që janë duke u transmetuar në RTK. KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Kurse, shkollat e mesme dhe universitetet kanë mbajtur mësim online sipas instruksioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Deri tek mbyllja e institucioneve të arsimit erdhi për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend.