Shkolla n’shpi, si kemi mësuar dhe si po mësojmë?

Situata pandemike në Kosovë ka ngritur nevojën për mobilizim të përgjithshëm për të mbajtur gjallë funksionet esenciale ekonomike e shoqërore, duke përfshirë këtu edhe arsimin. Në 30 vitet e fundit, për nxënësit kosovarë është hera e dytë që mësojnë në shtëpi, megjithëse tani në kohë paqeje e mundësive teknologjike.

Arsimi në Kosovë nëpër histori ka kaluar nëpër kohëra të ndryshme  improvizimi në kushte të jashtëzakonshme. Në vitin 2020, institucionet kosovare mbyllën shkollat për shkak të rrezikut të përhapjes së coronavirusit. 

Pak kohë më vonë objektet shollore të mbyllura “u hapën” me  mësimet në mënyrën virtuale.

Mobilizimi institucional por edhe vullnetarizmi i mësimdhënësve, punëtorëve arsimorë e shoqërisë civile ka sjellur në kujtesë për disa punëtorë të vjetër të kësaj fushe, një kohë më të trishtë për arsimin kosovar, kur në vitet e 90-ta u zhvillua arsimi paralel nëpër shtëpi private duke mbajtur të gjallë rezistencën akademike karshi shtypjes nga regjimi serb.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MAShTI) nga data 12 mars 2020 vendosi që mësimi të pezullhet në të gjitha nivelet arsimore në vend.

MAShTI-it i’u deshtën një javë përgatitje për të filluar publikimin e materialeve mësimore prej klasës së parë deri të pestën për t’u transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës dhe në internet, kurse dy javë për materialet për klasën e gjashtë deri të nëntën dhe për komunitetin turk dhe boshnjak, ndërsa ai serb nuk ka pranuar të bashkpunojë në sistemin e shtetit të Kosovës. 

E-mësimi u përgatit edhe me ndihmën vullnetare të shumë individëve e OJQ-ve, duke përfshirë KALLXO.com, që dha asistencë në përgatitjen e materialeve shkollore për transmetim.

Përveç kësaj, shkollat e mesme kanë përgatitur leksione  të cilat kanë filluar të shpërndahen tek nxënësit nga mësimdhënësit.

Në ditët e para pas vendimit për mbyllje, disa nga profesorët në bashkëpunim me studentët e Univeristetit të Prishtinës filluan leksionet në “Facebook”.

 Të hënën(20 mars) ligjëratat fillojnë në të gjithë UP-në në palformën si “Google Meet”, duke u praktikuar më pas edhe Universiteti i Mitrovicës, Univeristeti i Pejës, Univeristeti i Gjilanit dhe Universiteti i Ferizajt.

Tani studentët kanë mundësinë të ndjekin ligjëratat e tyre duke qëndruar në shtëpi përmes platformave të ndryshme online.

Të paktën për Universitetin e Prishtinës, numri i studentëve të cilët kanë ndjekur ligjëratat fizikisht në fakultet del të jetë i përafërt me ligjëratat online, ndonjëherë duke e tejkaluar numrin e zakonshëm.

“Për shembull tek një grup i ushtrimeve unë  kam pasë 42 studentë në klasë virtuale që është numër më i madh se zakonisht që janë në klasë”, ka thënë Alban Zeneli, Profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës(UP).

Të njejtën gjë e ka pohuar dhe Vjollca Krasniqi, Profesoreshë në Fakultetin Filozofik, Departamentin për Punë Sociale në UP.

“Pjesëmarrja e studentëve në ligjërata online përcjell trendin e pjesëmarrjes në ligjërata në klasë fizike. Në disa instanca, pjesëmarrja online, ishte më e lartë se në ligjëratat në klasa fizike. Shumica dërmuese e studentëve në ligjërata kyçen përmes telefonave të mençur.”, ka thënë Krasniqi.

Studentët gjithashtu janë shprehur se  kjo formë duket mjaft interesante në shkollimin e tyre.

“Nuk ka aspak problem në mbajtjen e ligjëratave, profesori dhe studentët janë interaktiv, ashtu që konfirmohet pjesëmarrja e të gjithë studentëve gjatë ligjërates dhe nuk mbahet një ligjëratē monotone, ku vetëm profesori flet.”, ka thënë Blendar Mala student në Fakultetin Juridik, UP.

Ndërsa Profesori Alban Zeneli dhe Profesoresha Vjollca Krasniqi e konsiderojnë  si metodë me anë të së cilës studentët mund të jenë të angazhuar.

“Kjo formë ka rezultuar e suksesshme, për faktin që shumica e studentëve janë angazhuar dhe kanë ndëgju ligjëratën, përveç asaj kanë jep edhe feedback-un përmes pyetjeve që i kanë bë në kohë reale”, ka thënë Zeneli.

“Kjo platformë mundëson është e lehtë për qasje, numër të pjesëmarrësve në ligjeratë, interaktivitet, prezantime (poëer point, video, chat etj.). Poashtu, të qenurit online ka hapur shumë mundësi për aplikim të burimeve online në ligjërata dhe punë praktike të studentëve. Mendoj se ligjeratat online kanë dhënë ri-dimensionuar dhe ri-formësuar kuptimin e përgjithshëm të studimeve përmes kësaj zhvendosjes të ligjëratave nga klasa fizike në klasa virtuale.”, ka shtuar Krasniqi.

Për Florjeta Dernjani, studente e gazetarisë në UP, angazhimi për ligjërata online dëshmon vullnetin dypalësh për vazhdimin e studimeve edhe në kohë të jashtëzakonshme si kjo.

“Në gjendjen e tanishme është një mundësi shumë e qëlluar, duke u bazuar në atë që nuk dihet se sa do të zgjasë. Në fakt kjo mundësi nxjerr në pah gatishmërinë e vullnetit për punë nga Universitetet, njëkohësisht edhe nga ana e studentëve.Falë mundësive të shumta që ofron teknologjia, tanimë edhe email-et zyrtare të studentëve më në fund po përdoren për diçka.”, ka thënë Dernjani.

Ndërsa për studenten e Fakultetit të Arkitekturës, Enkëljetë Ademi kjo mënyrë është më e vështirë se sa ajo fizike.

“Në përgjithësi është në rregull, normal që nuk krahasohet me të mbajturit mësim në mënyrë fizike, mirëpo ju kemi përshtat lehtë, por në lëminë e arkitekturës,që rezultatet të jenë më të mira na duhet të bashkëpunojmë gjatë gjithë kohës, që në mënyrë virtuale ka ca vështirësi.”, ka treguar Ademi.

Zyra për Inofrmim në Universitetin e Prishtinës ka thënë se pervec disa problemeve të vogla teknike, mësimdhënësit dhe studentët janë ndarë të kënaqur.

“Mësimdhënësit kanë përcjellë reagime pozitive, sidomos lidhur me numrin e studentëve pjesëmarrës në ligjërata. Ndërkaq, edhe studentët nuk kanë përcjellë ndonjë ankesë, përveç çështjeve të vogla teknike që janë shfaqur, e të cilat janë adresuar dhe zgjidhur në kohë reale nga Zyra TI-së.”, thuhet në përgjigjen e UP-së.  

 

 “Shtëpi-shkolla” në vitet e 90-ta dhe lehtësitë e ditëve të sotme

Në fillimin e viteve të 90-ta, me heqjen e autonomisë së Kosovës, kosovarëve iu largua e drejta edhe për arsimimin në gjuhën e tyre, duke ngritur kështu mobilizimin për një arsim paralel që mbahej në shtëpi private.

Ky lloj mësimi përpos vështirësive në realizim shfaqte rrezik edhe nga persekutimi nga regjimi serb i asaj kohe.

Megjithatë, shumë mësues ishin paraqitur vullnetarë për të mbajtur gjallë arsimin shqip pa pagë, ose me pagë minimale

“Ka qenë një përvojë e hidhur” dhe “u dashtë me ngushëllu vetën me humor” tregon mësuesja Habibe Hxhimusa, e cila ka qenë pjesë e reformave të arsimit të viteve 90-ta dhe vazhdon të japë mësim në shkollën fillore “Gjon Sereçi” në Ferizaj.

“Në vitet 90-ta në disa drejtime nuk ka pasë libra të mjaftueshme, është dashtë me shënime, më të ngarkuar kanë qenë atëher se tash, megjithëse edhe tash nuk është e leht për asnjë familje dhe për asnjë mësimdhënës”, ka thënë Haxhimusa.

Profesoresha universitare, Remzie Shahini-Hoxhaj, atë kohë studente, tregon se ka  shumë të përbashkëta dhe shumë dallime në mësimin online dhe atë të viteve 90-ta por një ndër to që është më rëndësishmja është liria.

“Për gjashtë muaj me radhë ne si nxënës dhe studentë vazhduam protestat dhe kërkesat tona paqësore prej shtatorit të vitit 89 e deri në janar 1990 për kthimin në objekte shkollore. Pasi që kjo rezultoi pa suksese atëherë disa njerëz të vullnetit të mirë vendosën t’i ofronin shtëpitë e tyre si objekte shkollore.”, ka treguar Profesoresha Remzie.

Në vitet 90-ta për të ruajtur dëftesat e nxënesve të saj mësuesja Habibe Haxhimusa ka kaluar fshehurazi nëpër zona të rrezikshme.

“Rrugës një herë duke i dorzu disa dëftesa kanë qenë disa polic serb, por fati i mirë dy veta ken para meje dhe unë për me ju ik policëve kam hy nëpër oborre të serbëve, kur kam shku të nesërmen në shkollë pa dëftesa ju kam tregu nga kam kalu, por fatmirësishtë unë shpëtova, më shpëtun dëftesat e nxënëve.”, ka thënë mësuesja Habibe.

Ndërsa tani për të është më e lehtë të ruhen vlerësimet për studentët e saj.

“Tani detyrat i dërgojnë me fotografi, ato janë dokument e dëshmi dhe kjo është dëshmi ma e mirë tash, se kur kemi punu(vitet 90-ta), kemi punu, por vetëm emra e nxënësve u dasht me i shkru brenda ditës, shënime nuk ke guxu me pasë rrugës ka shkojshe  në punë, sepse me të nxan policia t’i mershin shënimet.”, ka shtuar mësuesja Habibe.

Mësuesja Habibe dhe Profesoresha Remzie thonë se vullneti i nxënësve/studentëve është vërejtur në javën e parë, pavarësisht se nuk kanë qenë në dijeni nëse do të paguhen mësimdhënësit këtë e kanë krahasuar me vitet 90-ta.

“Ne kemi punu pa rrogë, ai ka qenë një obligim shumë i madh i joni ndonjëherë s’kishim edhe qa me vesh, sidomos te mbathja ka qenë problemi , por tash paguhemi.”, ka thënë Habibe Haxhimusa.

“Në fillim të kësaj periudhe të izolimit në Kosovë sapo filluam mësimin online, është shume i mirë për faktin e mbajtjes së moralit të nxënësve po edhe mësimdhënësve si formë e tejkalimit të kësaj gjendje. Mobilizimi ka qenë i njejtë si në vitete e 90-ta. Atëherë mesimdhënësit tanë kanë punuar pa të holla pa pagesë poashtu edhe ne e kemi fillu mësimin online duke mos e dit se a do të kemi nje pagë mujore në fund të muajit për shkak të gjendjës ekonomike të krijuar.”, ka shtuar Remzie Shahini-Hoxhaj.

Edhe prindërit që po ndjekin mësimet online bashkë me fëmijët e tyre janë shprehur të kënaqur me organizimin.

“Ne në shkollën tonë “Faik Konica” jemi të gjithë të kënaqur,  për aryse sepse realisht 99.9% do me thënë është numri i nxënësve të cilët janë të kycun në mësime në distancë.”, tha në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kushtrim Demiri.

Ndërsa Majlinda Nushi, një tjetër prind gjithashtu u shpreh e kënaqur me mësimin nga distanca.

“Është një punë e mrekullueshme, do me thënë është edhe një fakt që neve si prind na bind dhe si shoqëri që mjafton që prirësi të jetë në radhë të parë që e do vendin e tij dhe e don punën në mënyrë që të gjitha hallkat e tjera pastaj të funksionoj si duhet”

Edhe mësimi në gjuhën turke për këtë komunitet në Kosovë është i kënaqshëm sipas Agnesa Glloboderit

“Pa marr parasysh që me një hap mbrapa, pas një jave ka fillu mësimi në gjuhën turke ne jemi falenderues për kontributin, për këto sfida”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë datë të caktuar se deri kur pritet të zgjasë mësimi në këtë formë, duke u varur plotësisht nga mënyra se si do të kalojë kriza me COVID-19.