Rame Likaj, "Prezantimi i punës gjashtë mujore në Ministri të Arsimit". Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Ministri i Arsimit prezantoi punën e tij gjashtë mujore

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka prezantuar punën e tij në këtë dikaster nga muaji qershor, kur ka marr mandatin deri në dhjetor.

Likaj ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për vitin shkollor dhe akademik për vitin 2020/21.

Buxheti i ndarë për MASh ka qenë 62 milionë euro, ndërsa 89% të mjeteve janë shpenzuar.

Në konferencën për media, Likaj ka pasqyruar punët e bëra në arsimin parauniversitar dhe në atë universitar.

Më poshtë janë disa nga punët e përfunduara të cilat Ministri ka bërë të ditura:

-Janë hartuar planet mësimore, ditore e javore, lëndët e përfshira në e-Mësim për klasat 1-9 për vitin shkollor 2020/21.

-Është bërë përzgjedhja e mësimdhënësve dhe redaktorëve për realizimin e video materialeve, për klasat 1-9.

-MASh, ka organizuar xhirimin e njësive mësimore në gjuhën shqipe, turke dhe bonjake, dhe për gjuhën dhe kulturën rome, të cilat transmetohen në televizionin publik të Kosovës dhe në kanalin e MASh në youtube.

-Para fillimit të vitit shkollor është bërë dezinfektimi i të gjitha shkollave.

– Janë xhiruar 5903 njësi mësimore për klasat 1-9 në gjuhën shqipe dhe kanë mbetur për t`u realizuar 994 njësi.

-Është bërë rishikimi i të gjitha programeve mësimore/lëndore për klasat 4 – 9.

-MASh ka realizuar edhe disa trajnime për mësimdhënësit.

-MASh ka organizuar Testin e Maturës për 103 nxënës të cilët kanë fituar të drejtën për studime jashtë vendit.

-Mash ka organizuar dy afate të Testit të Maturës 25362 nxënës kanë kaluar testin në afatin e parë, ndërsa 7516 nxënës kanë kaluar testin në afatin e dytë.

-Është hartuar Udhëzuesi për përkrahjen e nxënësve me nevoja të veçanta në institucionet arsimore për vitin shkollor 2020/21.

– Universitetet kanë përfunduar të gjitha procedurat e harmonizimit sipas legjislacionit në fuqi të statuteve të përhershme të katër universiteteve publike.

– AKA ka pranuar 17 aplikacione për akreditim prej të cilave ka refuzuar që të përfshijë në proces tri kolegje private, për shkak të shkeljeve të afateve ligjore për akreditim.

Ministri Likaj ka bërë të ditur se shkollat në Kosovë do të pajisen me kontingjentin e dytë të masave mbrojtëse ndaj COVID-19 deri më 18 janar, atëherë edhe kur do të filloj gjysmë vjetori i dytë për vitin shkollor 2020/21.

Mësimi në shkolla Fillore dhe të Mesme do të vazhdojë të zhvillohet sipas manualit të MASh-it, me tre skenarë, skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Ndërsa, ligjëratat në fakultete do të vazhdojnë të zhvillohen online dhe ushtrime laboratorike, provimet do të mbahen fizikisht deri në një vendim tjetër të Qeverisë së Kosovës.