VIDEO- Qytetarët e Kosovës protestojnë me zhurmë nga ballkonet

Nga ora 20, qytetarë të shumtë nga qytete të ndryshme të vendit, u janë përgjigjur pozitivisht ftesës për protestë 5 minutëshe nga ballkonet e tyre.

KALLXO.com ka siguruar video nga Prishtina, Fushë Kosova, Gjakova e Mitrovica, ku qytetarët kanë përdorur mjete të kuzhinës, çelësa e mjete të tjera për të krijuar zhurmë.

 

 

Zhurma e krijuar nga to është përdorur si lloj proteste dhe ka zgjatur për disa minuta.

Kjo protestë e thirrur nga “Replikë”, një faqe në Facebook , u mbajt kundër krizës politike në kohën kur vendi është në izolim si pasojë e rrezikut nga përhapja e coronavirusit.

“Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë deri më tani janë shënuar 20 raste të infektuar me coronavirus ndërsa lidhur me këtë qeveria ka shpallur gjendje emergjente.

Kurse, dje Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës është edhe ajo. Ky vendim vie, pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, ministër i cili vie nga radhët e LDK-së.

LDK sot ka zhvilluar takime me partitë opozitare, Nisma Socialdemokrate dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në mënyrë që t’i mbledhin votat për këtë mocion.

Për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, LDK-së i duhen 61 vota të deputetëve prej 120 sa janë në Kuvendin e Kosovës.