VIDEO - Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të një të dyshuarit për një vjedhje të rëndë që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar në Suharekë.

Në një njoftim, Policia ka publikuar edhe një video ku shihet se si ndodhi vjedhja në rrugën “Mulla Nura” më 14 dhjetor 2023 në lokalin “Halili Agentur”.

Sipas Policisë, sendet e vjedhura në këtë rast kapin shifrën deri në 6 mijë euro.

“Nga video regjistrimet nga kamerat e sigurisë është siguruar fotografi e të dyshuarit, mirëpo deri tani nuk është rezultuar në identifikim i tij” – theksoi Policia.

Tutje në këtë njoftim u kërkua edhe bashkëpunimi i qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit.

“Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr autorizimin për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarit” – tha PK.

Policia kërkoi bashkëpunim nga të gjithë qytetarët që nëse kane çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarit që shihet në video të raportojnë në Polici në stacionin e Suharekës, në numrin 192, apo në cilindo stacion tjetër.

.