Ilustrim

VIDEO: Policia demanton ShKK-në: Burgu ku vdiq Dehari ka lidhje me stacionin e Policisë

Deklarata e djeshme e drejtorit të Burgut të Prizrenit se Burgu ka vetëm një derë e cila është e hapur dhe ajo është dera kryesore, është demantuar edhe nga zyrtarë të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar prova se përpos derës kryesore, e cila është e hapur, Burgu ka lidhje me një derë me Gjykatën e po ashtu të paktën tri dyer me stacionin e Policisë.

Rreshteri Fitim Haxhifazliu ka treguar për KALLXO.com se ku gjinden këto tri dyer dhe se ku çojnë ato.

“Për momentin në stacionin policor i kemi tri hyrje apo tri dalje në drejtim të Burgut. Një është paraburgimi poshtë, e cila përdoret për çështje zyrtare ende në ditët e sotmet, kjo që lidhet me Burgun është një derë po prej 2001 deri në 2002 ne ketë derë nuk e kemi përdorë fare sepse ka qenë në kuadër të KFOR-it gjerman i cili e ka përdorë dhe prej asaj kohe ne këtë derë nuk e kemi përdorë”, tha rreshteri.

Dera e parë për të cilin rreshteri foli dërgon në korridorin e Qendrës së paraburgimit në Prizren mirëpo e njëjta nuk është përdorur që nga viti 2001 ose 2002.

 

“Kjo të qet në një korridor të Burgut por saktësisht në cilën pjesë nuk mund ta them, se nuk e di”, shtoi Haxhifazliu.

Rreshteri tutje na dërgoi edhe te dera e dytë, e cila sipas tij që nga koha e renovimit është e mbyllur dhe nuk mund të hapet.

“Tani gjendemi të dera e dytë që ju thash se ka qenë si një labirint që ka pasë hapësirë për me shku te Burgu. Muri ka qenë në lloj, ndërsa pas renovimit Burgu e ka marrë atë pjesë mirëpo kjo derë asnjëherë nuk është përdorë nga ana jonë. Në vitin 2008 është mbyllur kur është renovu stacioni policor në Prizren”, tha Haxhifazliu.

Bashkë me rreshterin ekipet tona kanë vizituar edhe derën e tretë, e cila dërgon në oborrin e Qendrës së paraburgimit.

“Këtu për momentin jemi në qendrën e ndalimit të stacionit policor në Prizren, ku personave me urdhër të prokurorit u caktohet 48-orëshi, prej këtu pastaj hetohet rasti dhe dërgohet në prokurori. Prej këtuhit e kemi derën zyrtare e cila dërgon në Qendrën e paraburgimit të Burgut të Prizrenit”, tha rreshteri.

Së bashku me rreshterin Haxhifazliu ekipi ynë ka kaluar nëpër derën e brendshme të Policisë, e cila shpie në oborrin e burgut të Prizrenit.

Dje KALLXO.com raportoi se stacioni policor i Prizrenit ka dyer të cilat dërgojnë brenda në korridoret si dhe në oborrin e Qendrës së paraburgimit të Prizrenit. Drejtori i burgut Hamit Ademi  deklaroi se burgu ka vetëm një hyrje dhe ajo është hyrja zyrtare.