VIDEO - Pesë nxënës kosovarë marrin pjesë në Garat Evropiane të Fizikës

Pesë fizikantët e rinj të Kosovës po testohen për njohuritë e tyre në këtë shkencë bashkë me moshatarët nga mbarë Evropa.

Andi Sejdiu, Floriana Beqiri, Elsa Izeti, Elsa Kqiku, Albi Macula janë nxënësit që kanë kaluar nëpër disa shkallë testimi brenda Kosovës për të arritur në këtë garë.

 

Të hënën ata i janë nënshtruar Garës Evropiane të Fizikës në testin teorik dhe eksperimental përmes internetit, nga njëra prej sallave të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.

“Rrugëtimi im fillon duke u përzgjedhur si nxënës nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor, nga kjo kam marrë pjesë në garat komunale të Prishtinës. Nga këto janë përzgjedhur 3 nxënës nga secila klasë duke filluar nga e nënta, dhjeta, njëmbëdhjeta pastaj janë zgjedhur nga dhjetë nxënës të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në garën Botërore të Fizikës dhe garën Evropiane të Fizikës”, ka thënë Andi Sejdiu, nxënës i klasës së dymbëdhjetë.

Nxënësit janë përgatitur vetë për të gjitha mësimet, ndërsa për shkak të pandemisë pjesëmarrësit nuk e kanë ditur nëse do të zhvilloheshin garat dhe vonë është vendosur që ato të  mbahen online.

“Të gjitha përgatitjet kanë qenë vetanake, jemi shërby me materiale të cilat profesorët tanë të shkollës na kanë dhuru, pastaj edhe kërkimet e tjera në internet dhe jemi përgatit për problemet të cilat kanë qenë të lidhura për olimpiadën”, thotë Andi Sejdiu.

Pjesëmarësja tjetër, Floriana Beqiri tregon se gara ka qenë e planifikuar të mbahet në fillim të muajit në Rumani.

“Shkaku i  pandemisë, olimpiada EUFO do të mbahet online për shkak se ne kemi pasur të shkojm në Rumani, me 4 korrik, mirëpo rrethanat e tjera kanë mundësuar që ta mbajm këtë vit edicionin me këto gara online”, ka thënë Florjana Beqiri, nxënëse e klasës së dymbëdhjetë.

Kjo është hera e dytë që Kosova është pjesë e garave Evropiane dhe tani më është anëtare në këtë olimpiadë.

Për profesorin e fizikës, Sadik Bekteshi, pjesëmarrja e nxënësve të Kosovës në këto gara vjen pas shumë përpjekjeve.

“Kemi pasë mjaft probleme të mëdha për anëtarësimin në këto dy olimpiada, mirëpo kemi qenë këmbëngulës dhe në fund kemi arritë, kështu që tash jemi anëtarë të plotë, për herë të parë anëtarë të plotë, si dhe gjitha shtetet e tjera dhe nxënësit tonë marrin pjesë në mënyrë të barabartë me shtetet tjera”, është shprehur Sadik Bekteshi, profesor i Fizikës.