Shkolla "Vatra e Diturisë" në Livoç të Gjilanit | Foto: Kallxo.com

VIDEO - ‘Mosmarrëveshje’ për mësimet mes drejtorit dhe mësimdhënëses në Livoç të Gjilanit

“Me ma dhanë ditarin edhe me ma marrë jam mësu, ama me më njollosë nuk jam mësu’’ – kështu u deklarua mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Ajshe Zairi, pasi drejtori i shkollës në fshatin Livoç i Epërm kishte kërkuar në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan që ajo të mos u dërgohej më për zëvendësim.

Drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët “Vatra e diturisë”, Fadil Musliu, në një intervistë për KALLXO.com e ka arsyetuar këtë kërkesë të tij duke thënë se kanë kërkuar që të dërgohet një mësimdhënëse më e përgatitur, jo një mësimdhënëse e cila është para pensionimit.

Kurse, në kërkesë Musliu kishte shkruar se ka pakënaqësi nga prindërit për mësimdhënien e saj dhe se me qëllim që të shmangnin organizimin e prindërve për bojkotim të mësimit dhe organizimin e ndonjë proteste, kishin kërkuar të mos u dërgohej më..

Sipas kryetarit të Këshillit të prindërve në këtë shkollë, Zenun Ukshini, ata kanë qenë të lajmëruar nga drejtori se kishte ankesa për Zairin, por jo edhe për bojkotim të mësimit apo protestë nga ana e prindërve.

Si rezultat, DKA në Gjilan nuk e ka dërguar Zairin për zëvendësim në shkollën “Vatra e diturisë”.

Më 3 nëntor të vitit 2023, Musliu kishte kërkuar mësimdhënës për Gjuhën shqipe në Drejtori të Arsimit në Gjilan, pasi mësimdhënësja paraprake do të shkonte në pushim të lehonisë.

“Nga DKA kërkojmë që mësimdhënësja Ajshe Zairi të mos na dërgohet për zëvendësim, pasi që ajo ka zëvendësuar më parë edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, dhe kemi pakënaqësi të prindërve me mësimdhënien e saj. Me qëllim që të shmangim organizimin e prindërve për bojkotim të mësimit dhe organizimin e ndonjë proteste, kërkojmë që mësimdhënësja Ajshe Zairi mos të dërgohet për zëvendësim më në shkollën “Vatra e Diturisë”” – thuhet në kërkesën e Musliut, drejtuar DKA-së në Gjilan.

Musliu ka thënë se shumicën e ankesave i kanë pasur biseda me prindër dhe se nuk i janë bashkangjitur kësaj kërkese.

Ai i ka specifikuar për KALLXO.com ankesat që i kishin pasur prindërit.

“Po nëse e merr p.sh. mënyrën e dhënies të detyrave, shpjegimit, menaxhimin e klasës, unë edhe vet i kam vërejtur disa prej tyre. Kur kam shku në klasë ose kur e kam parë, nxënësit janë grumbulluar krejt me një qosh, klasa këndej anash e lanë vetëm, nuk ka qenë organizimi si duhet, m’u më vjen keq shumë, unë s’kam kurrgjë personale me mësuesen Ajshe” – ka theksuar Musliu për KALLXO.com.

Për Ajshe Zairin, përgjatë periudhave kur ka zëvendësuar në shkollën ‘’Vatra e diturisë’’, nga data 15 mars 2023 deri më 30 prill 2023, dhe periudha tjetër, nga data 10 tetor deri më 20 tetor 2023, ka kaluar shumë mirë me stafin e shkollës dhe nxënësit.

“Asnjëherë s’kam pranuar asnjë ankesë, me prindërit as që kam pas kontakt ndonjëherë, me nxënësit asnjëherë. Nxënësit janë sjell shumë mirë, janë nxënës shumë të sjellshëm. Edhe çka është një moment shumë interesant, kur jam shkuar atë ditë (10 tetor 2023), nxënësit e klasës shtatë më kanë prit te dera edhe më kanë përqafu” – ka thënë Zairi për KALLXO.com.

Se ishin lajmëruar që ka ankesa nga prindërit për Zairin, kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës në fjalë, Zenun Ukshini, e ka pohuar në një bisedë për KALLXO.com.

“Drejtori na ka lajmëruar që ka ankesa, më së pari për shkak të moshës na ka thanë se janë anku nxënësit se ajo ka qenë ndoshta pak ma, (nuk kuptohet) spjegu ma mirë, për këto raste se jo për tjetër sen, nuk ka thanë që për sjellje a për diçka, vetëm se për shpjegim të nxënësve” – është përgjigjur Ukshini.

Kurse, sa i përket organizimit të bojkotimit të mësimit apo ndonjë proteste nga ana e prindërve, Musliu ka potencuar se këtë e kishte bazuar në atë që i kishin thënë prindërit.

“Që na mundemi m’i ndërpre fëmijët prej mësimit” – thotë Musliu se i kishin thënë prindërit.

Por, Zairi këtë e ka konsideruar të pabazë dhe të papranueshme.

“Unë e pash që është shumë e pabazë kjo, se nuk besoj që asnjë prind që e merr atë përgjegjësi, pa asnjë fakt, argument, problem se mënyrën se si e ka thanë ai, si e ka shkru këtë shkresë, këtu duhet një mësuese me ba një skandal shumë të madh që për me ardh deri te kjo, me u çu prindërit në protestë, me i ndalë nxënësit prej shkolle, kjo është diçka e papranueshme me këtë arsyetim që e jep ky (drejtori), që prindërit kanë kërku që unë me qenë më produktive” – ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se do të organizohej bojkot apo protestë nga prindërit për shkak të kësaj çështje.

“Jo, s’kena qenë, nuk na kanë thanë, veç për ankesa na kanë thanë, për bojkot, për protestë nuk kam qenë në dijeni” – është përgjigjur Ukshini.

I pyetur nga KALLXO.com se pse nuk e kishte këtë informatë Ukshini, Musliu ka deklaruar se ai ka qenë i informuar.

“Nuk e di çka të ka thanë ai, na e kemi bisedu edhe kryetari i Këshillit të prindërve edhe prind me të cilët ku mësimdhënësja ka dhanë mësim, sepse na i kemi dy mësimdhënëse të gjuhës shqipe, dhe nuk jep në të gjitha klasat e njëjta mësimdhënësja, tash varet a i ka dhanë, po ai gjithsesi ka qenë i informum” – ka thënë ai.

Pas disa kërkesave të KALLXO.com që të marrë një pronocim nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan për këtë rast, ata kanë vendosur që të përgjigjen me shkrim.

Megjithëse nuk kishte ankesa të bashkangjitura në kërkesën e Musliut, për shkak të pozitës si drejtor i shkollës, ata e kanë vlerësuar shqetësimin e tij si shqetësim që e kishte marrë nga komuniteti i atij lokaliteti, nxënësit të cilët vijojnë mësimin.

“Drejtoria e Arsimit e ka ndërprerë zëvendësimin e saj (Ajshe Zairit), duke marrë për bazë shkresën e Drejtorit të Shkollës, i cili është kompetent dhe udhëheqës i atij Institucioni dhe i cili më së mirë e dinë gjendjen në Institucionin që e menaxhon e veçanërisht kur të gjithë e dimë rolin e prindërve në Shkollë” – kanë shkruar në përgjigjen e tyre nga DKA Gjilan.

Ndonëse në përgjigjen e tyre kanë thënë se Zairin, menjëherë, e kanë caktuar sipas radhës nga lista e pritjes për zëvendësim në shkollën fillore të mesme të ulët “Vesel Muja” në fshatin Mehir, sipas informatave të KALLXO.com, ajo ka nisur këtë zëvendësim nga data 18 dhjetor 2023 dhe ende është duke punuar aty.

Zairi në një takim që kishte pasur me zyrtarin ligjor në DKA Gjilan, pretendon se ai i kishte thënë që të mos shqetësohej për kërkesën e drejtorit, duke qenë se ajo ishte e njohur për ta.

“Drejtoria e Arsimit tha, po i referohem zyrtarit ligjor, tha – mos u shqetëso, na të njohim, ke punu edhe në shkolla tjera, s’ke pas probleme, por nuk po të do me një fjalë (drejtori i shkollës “Vatra e diturisë)” – ka treguar Zairi.

Zairi mendon se Musliu është duke u marrë me moshën e saj dhe ndoshta po kërkon mësimdhënëse më të re.

Në lidhje me këtë, Musliu ka bërë të ditur se aktualisht në shkollë ka mësimdhënës edhe më të vjetër, të cilët sipas tij punojnë me vite.

“Ne kemi mësimdhënës edhe më të vjetër se ajo që punon, edhe që punon me vite, nuk është ajo, na veç kërkojmë që të jetë mësimdhënësi sa ma i përgatitur edhe sa ma atraktiv për nxënësit” – ka thënë ai.

Teksa e ka krahasuar këtë rast me dorëzimin e ditarëve të klasave, në shkollat ku ka zëvendësuar më parë, për Zairin ky rast ka qenë më i dhimbshëm për të.

“Për mua, shumë ma e dhimbshme u kanë kjo etiketë e drejtorit. se unë për me ma ndërpre mësimin, qysh me thanë, me ma dhanë ditarin edhe me ma marrë, jam mësu, ama me më njollosë nuk jam mësu, se nuk e kam pru punën në asnjë shkollë” – ka vlerësuar Zairi.