Mehmet Ballazhi, PDK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO: Kryetari i Hanit të Elezit gju më gju me Xhabir Zharkun, i akuzuar për dy vepra penale

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, sërish është parë në shoqëri të Xhabir Zharkut, ish-kryetari i Kaçanikut, i cili po përballet me drejtësinë për dy vepra penale.

Për dallim nga hera e kaluar kur e kishte pritur në zyrën e tij në Komunë, Ballazhi është parë gju më gju me Zharkun në një ndejë në një odë.

Në këtë ndejë kishte plot mysafirë, të cilët po argëtoheshin nën tingujt e instrumenteve folklorike dhe po këndoheshin këngë patriotike.

Ndeja është mbajtur më 7 janar.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar Ballazhin për këtë ndejë ku ai shihet gju më gju me Zharkun, i cili ka aktakuzë aktive.

Kryetari i Hanit të Elezit ka thënë se është jeta private e tij dhe se takohet me kë të dojë.

“Allahile, a me llupë po më shikoni kah eci, kah shkoj a? Çka ka lidhje kjo? Unë jam i lirë me u taku me gjithkënd. Nëse s’kam të drejtë me u taku tregomëni! Unë jam qytetar i lirë i këtij vendi, unë takohem me njerëz, jam i lirë unë. A e keni për detyrë me më përcjellë mua me kënd rri e kah shkoj? Të lutem është jeta ime private”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë kohës sa kishte shërbyer si ministër i Drejtësisë në qeverinë Haradinajt, e kishte quajtur Xhabir Zharkun “turpi i Kosovës”. Madje, as nuk ia kishte përmendur emrin.

“I bashkohem ambasadorit britanik, s’po mundem as emnin me ia përmend, personi që po i referoheni është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten”, kishte thënë Tahiri në vitin 2018.

Xhabir Zharku është i akuzuar nga Prokuroria e Ferizajt për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Xhabir Zharku ishte liruar nga paraburgimi me anë të dorëzanisë në qershor të vitit të kaluar. Ai kishte deponuar në atë kohë një shumë prej 100 mijë eurove dhe pasaportën e Suedisë dhe më pas ishte liruar nga paraburgimi.

Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, në Aeroportin e Prishtinës teksa po tentonte të ikte nga Kosova.

Në vitin 2012, KALLXO.com pati raportuar se Zharku kishte vendosur të mos respektojë vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që e obligonte atë të shkojë tri vjet në burg.

Zharku ishte dënuar për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës.

Dënimi me burg prej tri vitesh atij i ishte vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Ai nuk e kishte mbajtur asnjë ditë burg në lidhje me veprat që i ngarkoheshin ndërsa në maj të vitit 2018 Gjykata e Ferizajt kishte vendosur që të ndalë ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit.

.