Kryetari i Hanit të Elezit, pret në takim Xhabir Zharkun, të akuzuar për keqpërdorim detyre

Gjatë ditës së sotme, Kryetari i ri i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi ka pritur në takim ish- Gjeneralin e Ushtrisë Shqiptare, Kudusi Lama ndërsa në të njëjtin takim është parë edhe ish- Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Në njoftim të Komunës së Hanit të Elezit, thuhet ky takim ishte një vizitë urimi për marrjen e postit të ri të Ballazhit në krye të komunës si kryetar.

“Vizita e Gjeneral Kudusi Lamës ishte vizitë urimi për Kryetarin Mehmet Ballazhi me rastin e marrjes së detyrës kryetar i Komunës së Hanit të Elezit”, thuhet në njoftimin e komunës.

Pjesëmarrja e Xhabir Zharkut në takim nuk është arsyetuar në faqen e Komunës së Hanit të Elezit, ndërsa në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarit të ri të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhit.

“z.Zharku ka qenë në cilësinë e shokëve, shokëve të luftës. E di që është duke u përballur me sistemin e drejtësisë. Nuk kam pasur ndonjë kërkesë vetëm e kam pa që erdh në mëngjes, sot e kam pasur edhe mbledhjen e inaugurimit e kështu.,,”, tha Ballazhi për KALLXO.com.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë kohës sa kishte shërbyer si ministër i Drejtësisë në qeverinë Haradinajt, e kishte quajtur Xhabir Zharkun “turpi i Kosovës”. Madje, as nuk ia kishte përmendur emrin.

“I bashkohem ambasadorit britanik, s’po mundem as emnin me ia përmend, personi që po i referoheni është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten”, kishte thënë Tahiri në vitin 2018.

Xhabir Xharku është i akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Xhabir Zharku ishte liruar nga paraburgimi me anë të dorëzanisë në qershor të vitit të kaluar. Ai kishte deponuar në atë kohë një shumë prej 100 mijë eurove dhe pasaportën e Suedisë dhe më pas ishte liruar nga paraburgimi.

Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, në Aeroportin e Prishtinës teksa po tentonte të ikte nga Kosova.

Në vitin 2012, KALLXO.com pati raportuar se Zharku kishte vendosur të mos respektojë vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që e obligonte atë të shkojë tri vjet në burg.

Zharku ishte dënuar për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i ishte vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Ai nuk e kishte mbajtur asnjë ditë burg në lidhje me veprat që i ngarkoheshin ndërsa në maj të vitit 2018 Gjykata e Ferizajt kishte vendosur që të ndalë ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit.

Rrugëtimi drejt lirisë i Xhabir Zharkut