VIDEO - 'Ju rrisni çmimin, ne rezistencën', PSD me aksion te zyra e ZRrE-së

Krahas një aksioni kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur një mbishkrim tek zyra e ZRrE-së.

“Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën” është shkruar në prag të derës së zyrës së ZRrE-së, pasi ky institucion propozoi rikthimin e bllok-tarifave.

PSD ka deklaruar se nuk mund të lejojnë që zhvatja që po iu bëhet qytetarëve, duke marrë para nga buxhet i Kosovës.

“Zyrës së ZRRE-së i quam mesazhin e qartë në vend; nuk mund të lejojmë që çmimi i energjisë elektrike mbi kurrizin e mirëqenies së qytetarëve e për interesat e KEDS. Nuk mund të lejojmë që zhvatja që po iu bëhet qytetarëve, duke marrë para nga buxhet i Kosovës për të ruajtur profitin e KEDS, të kaloj. Veprimet e tyre vetëm sa e rrisin rezistencën e protestën tonë!”, thuhet në postimin e PSD-së të bashkangjitur edhe me një video nga aksioni në fjalë.

Gjithashtu PSD më 29 janar ka bërë thirrje që të protestohet në sheshin “Zahir Pajaziti”, “kundër aleancës së Kurtit për interesat e KEDS-it e kundër qytetarëve të Kosovës”.

Të mërkurën, 26 janar, “Grupi Protestoj” ka mbajtur protestën me qëllim të kundërshtimit të propozimit për shtrenjtimin e rrymës.

“Asnjë cent më shumë”, “S’paguaj edhe për veriun”, “Dojmë rrymë, jo arsyetime”, “Albin rrenci”, “Ngrohja nuk është komoditet”, “Qeveri e popullit apo e privatnikut”, “Blloko tarifën”, “Rryma nuk është lluks”, kanë qenë disa nga thirrjet e protestueseve.

Kuvendi po ashtu ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës, e që ka qenë debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Reagimet dhe protestat vijnë pasi më 17 janar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të rritet.